Rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi është përshëndetur nga ish-nënpresidenti amerikan Joe Biden, njëherësh kundërshtari i Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Në një deklaratë për mediat Biden tha se vendimi është një hap i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve në rajon.

“Një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çonte në njohjen e ndërsjellë, ruajtjen e sovranitetin dhe integritetit territorial të dy vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, është kritike që Kosova dhe Serbia të avancojnë përpara. Kjo zgjidhje do të forconte sigurinë dhe begatinë e të dy vendeve dhe do të çonte përpara aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe institucionet ndërkombëtare”, tha Biden.

Kandidati demokrat për president, nënvizon më tej se “arritja e këtij synimi kërkon bashkëpunim transatlantik. Madje Bajden ka akuzuar administratën Trump se “nuk ka arritur të bashkëpunojë me BE-në për takimin e qershorit në Shtëpinë e Bardhë.

“Megjithëse takimi u anulua, partnerët tanë evropianë dërguan një mesazh të qartë. Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me partnerët evropianë, jo t’u kthejnë atyre shpinën. Kjo është shpresa më e mirë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që do t’i hapte rrugën një të ardhmeje të paqtë, më të begatë dhe evropiane për të dy vendet”, shtoi Biden.

Biden gjithashtu u bën thirrje udhëheqësve të dy vendeve të përqafojnë “shpirtin e kompromisit dhe ripajtimit në këto bisedime, duke ditur se kanë mbështetjen e plotë të popullit amerikan”.

Por përfaqësuesi i Presidentit Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell reagoi menjëherë pas deklaratës së Biden, duke e akuzuar atë për politizimin e procesit të dialogut mes dy vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *