Miniera e litiumit, e cila parashikohej të ishte një nga më të mëdhatë në botë, nuk do të ndërtohet në Serbinë perëndimore.

 

Ky është vendimi i qeverisë mbi projektin e gjigandit anglo-australian të minierave “Rio Tinto”. Investimi, i cili do të kapte vlerën e 2 miliardë dollarëve, u prit me protesta masive disa javore për shkak të debateve mbi dëmet mjedisore që do të shkaktonte.

 

Kryeministrja Ana Brnabiç në një konferencë për shtyp bëri të ditur se të gjitha lejet dhe vendimet në lidhje me këtë çështje, ishin anuluar.

 

ANA BRNABIÇ
KRYEMINISTRE, SERBI
“Ne jemi këtu për popullin dhe vendin tonë, ky është vendimi përfundimtar i qeverisë, në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Serbia i ka përmbushur të gjitha kërkesat nga protestat mjedisore dhe i ka dhënë fund aktivitetit të “Rio Tintos” në Republikën tonë.”

 

Projekti i diskutueshëm çoi në një seri protestash javëve të fundit, duke përfshirë bllokimin e autostradës kryesore në Beograd. Grupet mjedisore kishin argumentuar se miniera do të ishte shkatërruese për tokën bujqësore dhe furnizimet me ujë.

 

Vendimi për të anuluar ngritjen e minierës, vjen përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të zhvillohen në Serbi me 3 prill. Presidenti Aleksandër Vuçiç është kritikuar në vazhdimësi për përkrahje të zhvillimit të projektit, duke injoruar shqetësimet mjedisore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *