Partia Demokratike synon që të krijojë një klimë të re për biznesin së pari duke krijuar qëndrueshmëri tek baza ligjore dhe premtimi i saj është se taksat do të përcaktohen në fillim të mandatit e nuk do të ndryshojnë për 4 vjet.
JORIDA TABAKU
ANETARE E KRYESISE, PD
“Sot biznesi ka një mjedis armiqësor, të pasigurt ku në tetë vite kanë ndodhur 60 ndryshime ligjore dhe 170 vendime ministrash.”
PD premton që të shfuqizojë shumicën e taksave vendore e kombëtare dhe konsolidimin e një liste të shkurtër të aplikueshme sipas praktikës më të mirë botërore.
FLORION MIMA
ANETAR I KRYESISE, PD
“Të gjitha ligjet tatimore dhe aktet respektive nënligjore do të përmblidhen në një Kod Tatimor dhe Dispozita Zbatuese, të ngjashëm me Kodin Doganor. Të dy këto kode, ne një fazë të dytë do të përmblidhen në Kodin e të Hyrave Publike të Shqipërisë. Gjithçka do të arrihet nëpërmjet një bashkëpunimi me opozitën për t’i dhënë besueshmëri dhe qëndrueshmëri sistemit tatimor shqiptar dhe për të shmangur futjet e duarve të politikës.”
Sipas PD, shtresa e mesme është motori i zhvillimit të vendit, e për këtë arsye ata kanë parashikuar ulje të taksimit.
ALFRED RUSHAJ
ANETAR I KRYESISE, PD
“Të punësuarit me pagë mbi 60 mijë lekë do të përfitojnë thuajse një gjysmë page shtesë nga ulja e tatimeve. Në këtë mënyrë do i japim fund barrës së rëndë të taksimit që qeveria iu ka vënë njerëzve më të talentuar, të kualifikuar apo më të suksesshëm në vend.”
Sipas përllogaritjeve të PD, pas 4 vitesh, Shqipëria si pasojë e reformave do të arrijë një rritje ekonomike në nivelin 5.5%.