Subscribe

Mbledhja e Kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Demokratike për axhendën e parlamentit është shndërruar në një debat mes Flamur Nokës dhe Lulzim Bashës për Sali Berishën.

 

Për më shumë se një ore, Noka ka akuzuar Lulzim Bashën se ka shkelur statutin, duke përjashtuar Sali Berishën pa pyetur forumet, duke sjellë në vëmendje rrezikun për të ardhmen e partisë.

 

Por për herë të parë, Lulzim Basha i ka dalë kundër aksionit të udhëhequr nga Sali Berisha, i cili po mbledh firmat për mbledhjen e forumit më të lartë të PD, duke deklaruar prerë se ai nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit kombëtar të PD.

 

“Nuk ka dhe nuk do të ketë grupim antiamerikan nën siglën e PD-së. Nuk do të ketë Kuvend të PD-së, që vë në diskutim vendimet e qeverisë amerikane.”

 

Gjatë mbledhjes së kryesisë së grupit, Flamur Noka ka theksuar se vendimi për përjashtimin e Berishës duhej marrë nga forumet si e vetmja rruge që Partia Demokratike të mos përçahet.

 

“Vendimi ndaj Berishës ishte një thikë pas shpine për demokratët. Ke shkelur statutin, vendimin duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar. Vendimi u duhej lënë forumeve të PD-së ta merrnin. Vetëm vendimi i anëtarësisë  e mban PD të bashkuar”, u shpreh Flamur Noka.

 

Flamur Noka ka qenë një prej deputetëve që kundërshtuan vendimin për përjashtimin e Berishës që në datën 9 shtator, duke theksuar se ky vendim dëmton Partinë Demokratike. Flamur Noka, Edi Paloka, Tritan Shehu e Isuf Çela, janë deputetët që deri më tani kanë dalë hapur në mbështetje të Sali Berishës, duke u bërë pjesë e takimeve publike të ish-kryetarit të PD.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *