E hënë, 14 Shtator 2026 Trashëgimtari Halef deri në 03:15 Në vijim ora 03:15: Lajmet e Fundit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Jimmy Kimmel rikthehet në ekran, Trump reagon ashpër me median: Herën e fundit që dola kundër më dhanë 16 milionë dollarë

Ilustrim · Vizion Plus

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj rikthimit të komedianit Jimmy Kimmel në ekran, vetëm një javë pasi ABC e kishte pezulluar atë për shkak të komenteve të tij rreth vrasjes së Charlie Kirk.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump akuzoi rrjetin ABC për mungesë parimesh dhe mbështetje të hapur ndaj demokratëve:
E pabesueshme që ABC Fake News i ktheu punën Jimmy Kimmel. Shtëpisë së Bardhë i ishte thënë se emisioni i tij ishte anuluar. Tani papritur është rikthyer, edhe pse audienca i ka ikur dhe ‘talenti’ i tij nuk ka ekzistuar kurrë. Pse do ta donin dikë që nuk sjell shikueshmëri, nuk është qesharak dhe rrezikon rrjetin duke përhapur 99% propagandë pro-demokrate?”, shkroi Trump.

Ai gjithashtu e cilësoi Kimmelin si “një tjetër zgjatim i Partisë Demokratike”, dhe tha se kjo mund të konsiderohet si “kontribut i paligjshëm në fushatë”.
“Besoj se do ta testojmë ABC-në për këtë. Herën e fundit që shkova kundër tyre, më dhanë 16 milionë dollarë. Kjo çështje tingëllon edhe më fitimprurëse. Një grup humbësish të vërtetë! Lëreni Kimmelin të kalbet me audiencën e tij të ulët,” shtoi ai.

Kimmel pritet të rikthehet në mbrëmjen e së martës në emisionin e tij të natës, pas një jave pezullimi për shkak të komenteve që ai bëri ku akuzonte konservatorët se po përfitonin politikisht nga vrasja e Charlie Kirk, dhe bënte shaka duke thënë se Trump po e qante atë “si një katërvjeçar që qan peshkun e tij të artë”.

Komentet e tij sollën reagime të forta nga Trump dhe aleatët e tij, përfshirë edhe kryetaren e Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC). Kompania Disney, pronare e ABC, i cilësoi deklaratat e Kimmel si “të papërshtatshme dhe të paautorizuara” në një moment delikat për vendin dhe tha se pezullimi u bë për të “shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës”.

Ndërkohë, disa stacione lokale të ABC nuk do të transmetojnë emisionin e Kimmel pas rikthimit. Nexstar Media Group, pronare e dhjetëra stacioneve ABC dhe e portalit The Hill, tha se do të pezullojë transmetimin e tij “derisa të marrë garanci që të gjitha palët janë të përkushtuara për një ambient të dialogut të respektueshëm dhe konstruktiv”.

Sinclair Broadcast Group, një tjetër rrjet mediatik që zotëron disa stacione ABC, deklaroi se “diskutimet me ABC janë ende në vazhdim për të vlerësuar nëse emisioni do të rikthehet në transmetim.”

Ana Miha
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh