Fumio Kishida është një hap larg marrjes së postit të kryeministrit të ardhshëm të Japonisë pas zgjedhjes së tij të mërkurën si kryetar i partisë që qeveris vendin prej kohësh.

Gjashtëdhjetë e katër vjeçari, i cili ka mbajtur më parë detyrën e ministrit të Jashtëm, fitoi ndaj ministrit të Vaksinimit Taro Kono në raundin e dytë të votimit në garën për kreun e Partisë Liberal Demokrate me qasje konservatore. Kishida dhe Kono kaluan në balotazh pasi asnjëri prej tyre nuk fitoi shumicën e votave në raundin e pare. Më pas Kishida fitoi garën me vetëm një votë diferencë (256-255).

Kono dhe Kishida shihen si pretendentët kryesorë për të zëvendësuar Yoshihide Sugën, i cili pritet të japë dorëheqjen për shkak të kritikave mbi trajtimin e pandemisë së COVID-19s, veçanërisht për këmbënguljen nga ana e tij për të mbajtur Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios verën e kaluar ndërsa Japonia ndodhej në krizë si pasojë e rritjes së infeksioneve.

Suga ka qenë në këtë detyrë vetëm për një vit. Ai pasoi ish-Kryeministrin Shinzo Abe, i cili dha dorëheqjen për shkak të problemeve me shëndetin.

Kono rezulton kandidati kryesor në sondazhet publike, por Kishida gëzon më shumë popullaritet mes ligjvënësve të partisë.

Për postin e kryeministrit të vendit janë pretendente edhe dy gra. Ultra-konservatorja Sanae Takaichi, e cila ka mbështetjen e ish-Kryeministrit Abe. Në rast fitoreje ajo do të ishte gruaja e parë në vend që do të shërbente në këtë detyrë. Kandidatja tjetër Seiko Noda, ka pak mbështetje në parti.

Parlamenti i vendit pritet të mblidhet më 4 tetor për të votuar zyrtarisht për pasardhësin e Sugës. Gjasat janë që fituesi i garës për kreun e partisë të bëhet edhe kryeministri i ri i vendit. Ky i fundit do të qëndrojë në detyrë vetëm një muaj, deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme që do të mbahen më 28 nëntor./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *