Një helikopter “Black Hawk” i ushtrisë japoneze, me 10 vetë në bord mendohet të jetë rrëzuar në det. Helikopteri, i cili po kryente një mision zbulimi në ishujt jugorë të Japonisë, u zhduk një ditë më parë nga radarët dhe besohet se pjesë të tij janë gjetur në ujë. Ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Yasukazu Hamada tha se deri tani nuk është gjetur asnjë nga anëtarët e ekuipazhit, dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdondojnë.

 

Roja bregdetare e Japonisë po vijon operacionet e kërkim-shpëtimit për të gjetur një helikopter ushtarak japonez, i cili u zhduk nga radarët të enjten, në ishujt jugperëndimorë të vendit, pranë Tajvanit.

 

Ministri i Mbrojtjes Yasukazu Hamada, tha se asnjë nga anëtarët të ekuipazhit të helikoterit “Black Hawk” nuk është gjetur.

 

“Që kur ndodhi incidenti, kemi bërë kërkime në zonë gjatë natës, por nuk kemi mundur të gjejmë komandantin e Divizionit të 8-të, Gjeneral Sakamoto dhe nëntë persona të tjerë në bordin e helikopterit”, tha ai.

 

Në një konferencë shtypi të enjten, Yasunori Morishita, kreu i Forcave të Mbrojtjes Tokësore të Japonisë, tha se helikopteri besohet të jetë rrëzuar në det, pasi pjesë të tij ishin gjetur në zonë.

 

Helikopteri u zhduk të enjten pasdite ndërsa po kryente një mision zbulimi në ishujt jugorë të Japonisë. Mjeti fluturues u zhduk nga radarët vetëm 10 minuta pasi u nis nga një bazë në ishullin Miyako. Ai besohet të jetë rrëzuar në det, mes ishullit Miyako dhe atij Irabu në veriperëndim.

 

Sipas ushtrisë japoneze helikopterit i ishte bërë një inspektim rutinë në fund të muajit mars dhe nuk ishte identifikuar ndonjë problem teknik.

 

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se ushtria amerikane ka ofruar mbështetje për operacionet e kërkim-shpëtimit.

 

Japonia po përforcon aftësitë e saj mbrojtëse në ishujt jugperëndimorë, në përgjigje të aktivitetit ushtarak gjithnjë në rritje të Kinës në rajon, si dhe pranë Tajvanit./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *