Subscribe

Teksa po bëhemi gati për të çelur sezonin turistik, industria e hotelerisë po punëson edhe të huaj. Forca punëtore po vjen kryesisht nga Bangladeshi, Filipinet, India apo Afganistani dhe kjo ndodh sepse të rinjtë tanë janë gjithnjë e më pak të interesuar për të punuar në vend.

 

KUJTIM DERVISHI

SHOQATA E RESTORANTEVE TURISTIKE

 “Hoteleria në zonat turistike këto vitet e fundit kërkon stafe sepse kanë një mangësi stafesh. Po hapen hotele me 4-5 yje që duhen plotësuar me stafe dhe që po vijnë nga jashtë. Në këto vitet e fundit kanë ardhur goxha, filipinas, nga Bangladeshi, Siria dhe Afganistani. Të rinjtë tanë shohin si mundësi të largohen jashtë vendit.”

 

Në komplekset turistike në Durrës, Vlorë dhe Sarandë, sipas kryetarit të Shoqatës së Restoranteve Turistike, të huajt përbëjnë 10% të stafeve. Ai shpjegon se në raport me shqiptarët, ata paguhen më shumë, për shkak edhe të kualifikimit.

 

KUJTIM DERVISHI

SHOQATA E RESTORANTEVE TURISTIKE

 “Janë disa kompani që i sjellin këto stafe. Ata kërkojnë rroga rreth 500 dollarë, përveç akomodimit dhe siguracioneve. Stafet që përzgjidhen nga kompanitë, zgjidhen me CV, nisur nga sanitarët, kamarierët, menaxherët. Shqiptarët paguhen më pak. Ata vijnë me një kulturë tjetër pune. Janë më të avancuar dhe më të kualifikuar. Ata kërkojnë kushte më të favorshme se shqiptarët.”

 

Me qëllim që fuqia jonë punëtore të mbahet në vend, nevoja është që shkollat profesionale të punojnë për të rritur cilësinë, por edhe që të hiqet dorë nga kontratat sezonale.

 

KUJTIM DERVISHI

SHOQATA E RESTORANTEVE TURISTIKE

 “Ka ardhur koha që të kthehet vëmendja nga shkollat tona profesionale që të rrisin cilësinë e stafeve. Kanë qenë me nivele të ulëta, por sot ka standarde, rritje cilësuie. Por sërish nuk mjafton sepse shteti duhet t’i stimulojë që të rinjtë të mos marrin rrugët të punojnë në Evropë, por të punojnë këtu. Turizmi shqiptar duhet të jetë vjetor dhe duhet të marrin modelet e huaja si t’i paguajmë. Nuk duhet të kemi kontrata vetëm verore, por të paguhen edhe gjatë vitit.”

 

Kjo, sipas kryetarit të Shoqatës së Restoranteve Turistike, do të ishte zgjidhja më e mirë që të kemi fuqi punëtore të përhershme dhe vendase, pasi edhe stafet që vijnë nga jashtë, pavarësisht kushteve, e shohin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në Evropë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *