Ushtria izraelite thotë se ka marrë kontrollin e zonës mbrojtëse strategjikisht të rëndësishme përgjatë kufirit Gaza-Egjipt të njohur si Korridori Filadelfi, që do të thotë se tashmë kontrollon të gjithë kufirin tokësor të Gazës.

Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) tha se rreth 20 tunele të përdorura nga Hamasi për të kontrabanduar armë në Gaza ishin gjetur brenda zonës, shkruan BBC.

Ndërkaq televizioni egjiptian citoi burime që e mohojnë këtë dhe tha se Izraeli po përpiqet të justifikojë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

IDF ka vazhduar ofensivën e saj në Rafah dhe në Gaza, duke thënë se sulmet ajrore goditën mbi 50 “objektiva terroriste” gjatë ditës së kaluar.

Tre ushtarë izraelitë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën rëndë të mërkurën në një ndërtesë në Rafah, tha IDF.

Dy ushtarë të tjerë u vranë në një sulm me makinë pranë qytetit të Nablus në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha më tej ushtria izraelite. Forcat e sigurisë janë në kërkim të drejtuesit të mjetit.

Zëdhënësi i IDF-së, kundëradmirali Daniel Hagari tha të mërkurën se forcat kishin “vendosur kontrollin operacional” të Korridorit të Filadelfit.

Ai e përshkroi zonën si një “vijë shpëtimi” për Hamasin, përmes së cilës grupi “kontrabandonte rregullisht armë në Rripin e Gazës”.

Ai tha se trupat po “hetojnë dhe neutralizojnë” tunelet e gjetura në zonë. Hagari më vonë tha në një konferencë me gazetarët se ai nuk mund të ishte i sigurt se të gjithë tunelet kalonin në Egjipt, raportoi New York Times.

Egjipti ka thënë më parë se kishte shkatërruar tunele ndërkufitare, duke e bërë të pamundur çdo kontrabandë armësh.
Dhe një burim egjiptian “i nivelit të lartë”, i cituar nga Al-Qahera News, akuzoi Izraelin se “i përdor këto akuza për të justifikuar vazhdimin e operacionit në qytetin palestinez Rafah dhe zgjatjen e luftës për qëllime politike”.

Izraeli ka këmbëngulur se duhet të marrë Rafahun për të arritur fitoren në luftën e shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i Hamasit në vend më 7 tetor, gjatë të cilit rreth 1200 njerëz u vranë dhe 252 të tjerë u morën peng.

Të paktën 36,170 njerëz janë vrarë në të gjithë Gazën që nga fillimi i konfliktit, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Tensionet midis Egjiptit dhe Izraelit janë rritur që kur forcat izraelite morën kontrollin në anën e Gazës të pikës së kalimit

Rafah tre javë më parë, si pjesë e ofensivës së tyre kundër Hamasit. Në fillim të kësaj jave, një ushtar egjiptian u vra në një incident që përfshinte trupat egjiptiane dhe izraelite në zonën kufitare pranë Rafahut.

Egjipti është një mbështetës i fortë i palestinezëve dhe ka dënuar fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza dhe vrasjen e mijëra civilëve nga Izraeli në luftë.

Ashtu si Izraeli, Egjipti ka mbajtur një bllokadë në kufirin e tij me Gazën që kur Hamasi erdhi në pushtet në vitin 2006. Hamasi është një degë e organizatës islamike Vëllazëria Myslimane, e cila është e ndaluar si një grup terrorist në Egjipt.

Egjipti, megjithatë, i ka mbajtur të hapura kanalet me Hamasin dhe ka vepruar si ndërmjetës në bisedimet indirekte ndërmjet Izraelit dhe grupit në përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi në Gaza./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *