Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka njoftuar se Izraeli ka ndërmarrë një sulm parandalues ndaj objektivave strategjike në Iran, duke përfshirë zona të lidhura me programin bërthamor dhe raketat me rreze të gjatë. Si pasojë, në të gjithë territorin e Izraelit është shpallur gjendje e jashtëzakonshme speciale, në pritje të një sulmi të mundshëm hakmarrës nga Irani me raketa dhe dronë ndaj popullsisë civile.
Sipas një deklarate zyrtare, Katz ka autorizuar masat e jashtëzakonshme në përputhje me Ligjin e Mbrojtjes Civile dhe ka bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme.
Zyrtarë amerikanë ishin informuar paraprakisht për operacionin, raporton CBS, duke theksuar se kjo ka ndikuar në rekomandimin që SHBA u bëri disa shtetasve të saj për t’u larguar nga rajoni. Sipas burimeve amerikane, pritet që Irani të reagojë jo vetëm ndaj Izraelit, por edhe ndaj bazave ushtarake amerikane në Irak.
Ndërkohë, media shtetërore iraniane dhe burime të pavarura raportojnë për shpërthime në veri të Teheranit. Agjencia Reuters dhe BBC konfirmojnë se banorë në kryeqytetin iranian kanë dëgjuar shpërthime, të cilat besohet të jenë pasojë e sulmeve izraelite.
Një zyrtar ushtarak izraelit ka deklaruar se janë kryer dhjetëra sulme në objektiva të ndryshëm ushtarakë iranianë, përfshirë infrastrukturën e programit bërthamor. Ai theksoi se qëllimi është goditja e kapaciteteve ushtarake të Iranit për të parandaluar kërcënimet ndaj Izraelit.
/vizionplus.tv