Një sulm i ri izraelit të dielën në mëngjes kishte në shënjestër periferitë jugore të Bejrutit, bastion i Hezbollahut, pas bastisjeve të ashpra gjatë natës.
Sipas korrespondentëve të agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve ANI dhe AFP, një shpërthim i madh u dëgjua dhe re tymi u ngritën mbi periferitë jugore të kryeqytetit libanez, të cilat janë bombarduar nga forcat ajrore izraelite prej dy javësh dhe banorët e të cilëve janë larguar.
Kryeministri i Libanit Najib Mikati, në mes të situatës dramatike në vend, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “ushtrojë presion mbi Izraelin” për t’u angazhuar për një armëpushim.
Qindra luftëtarë të vdekur të Hezbollahut
Ndërkohë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite kundëradmirali Daniel Hagari tha se Izraeli kishte vrarë 440 luftëtarë të Hezbollahut në operacionet e tij tokësore në Libanin jugor dhe kishte shkatërruar 2000 objektiva të Hezbollahut , shifra që grupi nuk i ka konfirmuar apo komentuar.
Izraeli thotë se ka shtuar sulmin e tij ndaj Hezbollahut për të lejuar kthimin e sigurt të dhjetëra mijëra civilëve në shtëpitë e tyre në Izraelin verior, i cili është bombarduar nga Hezbollahu që nga 8 tetori dhe fillimi i luftës në Rripin e Gazës./vizionplus.tv