Janë hequr përfundimisht të gjitha masat e sigurisë të instaluara së fundmi nga Izraeli ne xhaminë e shenjtë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor. Çmontimi i detektorëve e metaleve u bë nga policia izraelite të enjten në mëngjes. Heqja e tyre pritet të qetësojë protestuesit palestinezë të cilët kanë zhvilluar protesta të dhunshme gjatë javëve të fundit.

 

Vendimi u mirëprit edhe nga udhëheqësit fetarë myslimanë. Pas bojkotit që zgjati për disa ditë me radhë, ata bënë të ditur se do t’i rikthehen ritualeve të tyre. Pas protestave masive që përfshinë Jeruzalemin Lindor për ditë me rradhë si pasojë e kontrolleve që i ushtroheshin besimtarëve myslimanë, situata duket se po shkon drejt normalizimit.

 

Qeveria e Izraelit ka bërë të ditur se pas heqjes së detektorëve do të prezantojë disa masa të reja sigurie më pak bezdisëse për besimtarët. Sipas tyre është e nevojshme që situata të monitorohet vazhdimisht. Për këtë, Kabineti i Sigurisë miratoi edhe një fond prej 22 milionë dollarësh që do të shërbejë për blerjen e pajisjeve të teknologjisë së fundit.

 

Kriza nisi pasi në kompleks u vranë dy policë izraelitë dy javë më parë. Që atëherë ka pasur përplasje thuajse të përditshme mes forcave të sigurisë dhe palestinezëve për shkak të masave të reja të sigurisë që u morën nga hebrenjtë në xhaminë Haram al Sharif.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *