“Nuk kam konflikte me askënd.”.
Me këto fjalë ka nisur dëshminë e tij para oficerëve të Policisë së Shkodrës, 38-vjeçari Enea Busukja, të cilit iu bë atentat të martën në lagjen “Ndoc Mazi”.
Sipas deklarimit të tij, shpërthimi ndodhi ku ndezi automjetin.
“Sapo dola nga banesa dhe isha duke hipur në makinën e punës që kam. Në ato momente shpërtheu lënda eksplozive që ishte vendosur tek motori afër makinës time. Fillimisht nuk e kam kuptuar se çfarë ndodhi. Kam dalë nga automjeti dhe kam qëndruar derisa erdhi policia dhe një ambulancë. Unë nuk e kam as idenë më të vogël se përse ndodhi ky atentat. Ju them me bindje se në mënyrë kategorike nuk kam asnjë problem me askënd. Ndaj nuk kam asnjë ide se kush mund të jenë autorët apo përse ndodhi kjo ngjarje”, tha 38-vjeçari.
Ndërkohë, policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, por ende nuk ka të dhëna për autorët e vendosjes së eksplozivit.
Grupi hetimor ka sekuestruar provat e gjetura ne vendin e ngjarjes, ndërsa po analizohen edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonë dhe në akset hyrëse të qytetit.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë itinerarin e autorëve, të cilët dyshohet se janë larguar drejt fshatit Dragoç, ku u gjet e djegur makina e përdorur në atentat.
Mjeti po ekzaminohet me imtësi në laboratorin e policisë, me shpresën se mund të gjenden gjurmë apo prova materiale që do ndihmojnë në identifikimin e autorëve./vizionplus.tv





