Nga kjo e enjte deri më 27 dhjetor, e gjithë Italia konsiderohet zonë e kuqe, kjo do të thotë se vendi do të qëndrojë i izoluar për festën e Krishtlindjes. Panorama është e njëjtë në shumë shtete të kontinentit të vjetër.

Vetëm supermarketet dhe farmacitë mbeten të hapura, ndërsa do të lejohet dalja për arsye shëndetësore. Indeksi kombëtar i transmetueshmërisë ka pësuar rritje ditëve të fundit, vecanërisht në pesë rajone, Liguria, Marche, Puglia, Umbria dhe Veneto.

Ndërkohë, Britania e Madhe ka raportuar praninë e një tjetër mutacioni të koronavirusit, me origjinë nga Afrika e Jugut.

Sipas shkencëtarëve britanikë, dy variantet e reja kanë aftësinë për tu transmetuar shumë më shpejt dhe janë të prirur të prekin fëmijët dhe të rinjtë më tepër sesa versioni original i covid 19.

Por Organizata boterore e shëndetësisë në një reagim në rrjetin social twitter nuk ka bërë asnjë konstatim mbi të dhënat më të fundit. Drejtori i OBSH për Europën ka deklaruar se komiteti i vendeve anëtare do të bëjë vlerësimet e nevojshme. Megjithatë ekspertët bëjnë thirrje për të shmangur alarmin pasi mutacionet janë të natyrshme për koronaviruset dhe mjafton të shmangim mundësitë e infektimit për të qënë të sigurt.

Vendet europiane vijojnë heqjen e kufizimeve ndaj Britanisë së Madhe me kusht testin negativ jo më të vjetër se 72 orë. Por në kufirin me Francën, vonesa me testimet ka shkaktuar tensione mes shoferëve të kamionëve të cilët presin nga dita e dielë të kalojnë kufirin. Nuk kanë munguar as përplasjet me autoritetet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *