Zëvendës kryeministri i Italisë njëherësh edhe ministër i Brendshëm, Matteo Salvini, ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij është e kotë që qeveria italiane të vazhdojë të qeverisë kur ajo “nuk ekziston më”.

 

“E kotë të ecim para së bashku mes grindjeve e përgjigjeve negative siç ka ndodhur gjatë javëve të fundit. Italianët kanë nevojë për qartësi e një qeveri që ja del. Nuk kërkojmë ministra më shumë, as qeveri teknike, pas kësaj qeverie që ka bërë shumë, e vetmja mundësi janë zgjedhjet e parakohshme, Të njëjtën gjë ia bëra të qartë edhe kryeministrit Konte”

 

Ndërsa gjatë një tubimi para mbështetësve të tij ministri i brendshëm tha se tashmë e ardhmja e vendit është në duart e qytetarëve italianë.

 

“Diçka është thyer muajt e fundit. Gjërat ose do realizohen ose do të kthehemi sërish te populli. Unë nuk jam tipi i rrugëve të mesme, dua që gjërat të arrihen plotësisht dhe shpejt, përndryshe nuk kam pse ngroh karrigen e zëvendëskryeministrit”

 

Por menjëherë pas këtyre deklaratave, kryeministri Italian Giuseppe Conte tha para mediave se do të bëjë çdo gjë në që është e mundur per te zbutur krizën.

 

 “Do të bëj ç’është e mundur që kjo krizë qeverisëse të jetë nga më transparentet në historinë e Italisë. I takon Salvinit në veshjen e tij si senator që t’i shpjegojë vendit e të sqarojë zgjedhësit të cilët i besuan perspektivës së ndryshimit, motivet që e shtynë të ndërpresë aktivitetin e qeverisë. Kjo qeveri ka folur gjithmonë pak e ka punuar shumë. Ka punuar pa u lodhur për të realizuar projekte të panumërta reformash në të mirë të italianëve”.

 

Megjithatë Conte sqaroi se nuk i takon Salvinit të vendosë per zgjedhjet e parakohshme, por është parlamentit dhe presidentit i Republikës. Duket se kriza politike në vendin fqinj nisi vetëm disa orë pasi senati hodhi poshtë nje kërkese të lëvizjes “5 Yjet” për anulimin e një projekti hekurudhor që lidh Torinon me qytetin francez të Lionit projekt i cili mbështetet nga Lega Nord.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *