Gjovalin Shkambi, xhaxhai i 30-vjeçarit Elvis Shkambi, autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi ka kërcënuar me vdekje një tjetër gjyqtar që po trajton çështjen e nipit të tij.
Sipas raportimit të gazetarit Esido Barkaj për emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus, Shkambi është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se ka vepruar nën ndikimin e gjaknxehtësisë.
Megjithatë, ai nuk ka mohuar konfliktet e gjata gjyqësore që, sipas tij, kanë rënduar mbi familjen prej më shumë se 30 vitesh për një çështje prone.
Shkambi ka lënë të kuptohet se proceset e zvarritura në sistemin gjyqësor kanë ndikuar edhe në gjendjen e nipit të tij, i cili më 6 tetor vrau me armë gjyqtarin Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit, në Tiranë, gjatë shpalljes së një vendimi.
Ngjarja tronditi opinionin publik dhe solli reagime të forta nga institucionet e drejtësisë dhe politika, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.
/vizionplus.tv
View this post on Instagram





