Subscribe

 

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës së Kosovës, Jamie Shea, një nga njerëzit simbol të betejës së Perëndimit kundër regjimit të Millosheviçit, përshëndet marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë të posaçme për “Vizion Plus”, ai thotë se ky është vetëm fillimi i një procesi që pritet të finalizohet me njohjen reciproke.

 

INTERVISTA E PLOTË ME JAMIE SHEA:

 

Thimi Samarxhiu: Zoti Shea faleminderit që gjetët kohë në këto ditë intensive për këtë intervistë. Pyetja e parë është padyshim lidhur me marrëveshjen. Si e shihni marrëveshjen e nënshkruar dje mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë? Cili është komenti juaj për të?

 

Jamie Shea – Zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës: Së pari faleminderit për ftesën. Padyshim është një marrëveshje shumë e mirëpritur. Ishte një periudhë prej afro 2 vitesh ku Prishtina dhe Beogradi nuk komunikonin fare mes tyre. Dhe ju e dini, Prishtina vendosi taksën mbi produktet serbe e cila tashmë u hoq. Është shumë gjë e mirë që Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Hoti, rivendosën këtë kanal komunikimi. Ata tashmë flasin. Nuk shoh që ky është fundi i procesit, por është vetëm fillimi i procesit. Por normalizimi i marrëdhënieve ekonomike është një nisje e mbarë. Kryesorja ama është implementimi. Flitet për një sërë gjërash, hapje pikash kufitare, hekurudha, njohje profesionale, janë gjëra shumë të mira, por ajo që na duhet tani është një zbatim konkret i marrëveshjes dhe çështjet e dakordësuara të ecin përpara sa më shpejt.

 

Thimi Samarxhiu: A ka një fitues nga kjo marrëveshje? Kush ka fituar më shumë Kosova po Serbia, nëse ka një fitues?

 

Jamie Shea – Zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës: Mendoj që të dyja palët kanë gjëra për të fituar, sepse janë fqinj dhe nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë dhe ta vendosim Kosovën në një pjesë tjetër të Europës. Padyshim prosperiteti i Kosovës varet thelbësisht nga të qenit e aftë të bëj tregti të hapur me Serbinë. Normalizimi i marrëdhënieve ekonomike do të na çojë gjatë kohës në një atmosferë më të mirë mes Prishtinës dhe Beogradit, më një dëshirë të mirë nga ana e Serbisë për të njohur normalizimin me Kosovën në interesin e saj, pasi nuk mund të shtyhet pafundësisht kjo gjë. Në të njëjtën kohë do ta bëjë më të lehtë çështjen e njohjeve, që është thelbësore. Kam lexuar në shumë artikuj, që mund të shkohet larg me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike derisa duhet të normalizohen marrëdhëniet politike, për të marrë përfitimin maksimal nga ato marrëdhënie ekonomike. Këto të dyja, nuk mund të ecin të ndara në pafundësi.

 

Thimi Samarxhiu: Flasim për ekonomikë, por në marrëveshje ajo që më tërheq vëmendjen është fakti që më shumë flitet për Izraelin dhe Kosovën sesa për Serbinë dhe Kosovën, pasi ka shumë pika ku flitet për marrëdhëniet mes Izraelit dhe Kosovës…

 

Jamie Shea – Zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës: Ishte diçka është ishte e rëndësishme për Presidentin Trump. Le të jemi të sinqertë, ai është në një vit elektoral, ai sapo pati arriti një “fitore” diplomatike me njohjen diplomatike mes Izraelit dhe Emiratet e Bashkuara e fluturimin e parë nga Tel Avivi në Abu Dhabi dhe padyshim ai dëshiron të vendos edhe këtë në atë kornizë. Dhe besoj që si Prishtina dhe Beogradi janë dakordësuar për të kënaqur Presidentin Trump dhe padyshim është gjë e mirë që Amerika është kthyer sërish në proces për të punuar në zgjidhjen e çështjeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Është një ndihmë shumë e domosdoshme për BE dhe e mirëpres. Supozoj që si çmim për këtë lëvizje diplomatike, Vuçiç dhe Hotit duhet të thonin diçka për Izraelin në këtë marrëveshje. Por për mua, kryesorja është vendosja e një kanali direkt negocimi mes Beogradit dhe Prishtinës dhe të ecet për mes një strategjie për stabilizimin edhe të marrëdhënieve politike veç atyre ekonomike.

 

Pyetja: Mos gaboj të hënën, Vuçiç dhe Hoti do të udhëtojnë në Bruksel, duket si një përplasje mes BE dhe SHBA për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi pak muaj më parë ishte BE që e drejtonte tashmë është përfshirë Ambasadori Grenell dhe Presidenti Trump.

 

Jamie Shea – Zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës: E kam ndjekur shumë me kujdes këtë gjë. Nuk e shoh si një “luftë”. Mendoj se ajo që ka ndodhur është që pak muaj më parë kur samiti në Uashington u shty për shkak të kërkesës së Gjykatës Speciale, BE nuk donte që të humbte momentumin. Presidenti Vuçiç sapo kishte dal nga zgjedhjet duke fituar shumicën, ishte një qeveri e re në Kosovë me Kryeministër Hotin që zëvendësoi Haradinajn dhe BE nuk donte që anulimi i samitit ne Uashington të çonte në humbjen e këtij momentumi. Prandaj Presidenti Macron e Merkel e morën, nëse doni ta quajmë kështu, “pataten e nxehtë”. Duke u kthyer pas në eksperiencën time në NATO në 1999, them dhe të gjithë e dinë që Ballkani ka ecur përpara kur BE dhe SHBA kanë punuar bashkë. E kemi parë këtë në rastin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, çështjen e Bosnjës dhe shumë e shumë çështje të tjera. Na duhen të dyja palët. Por thelbësore tani është që të ketë sinkronizim, të punojnë në mënyrë të koordinuar që të ecin përpara.

 

Thimi Samarxhiu: Besoni se do ta gjejnë këtë koordinim? Jeni i sigurt?

 

Jamie Shea – Zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës: Ajo që shohim sot është që SHBA dhe BE po punojnë më afër, për shembull në çështjen mes Turqisë dhe Greqisë, në Bjellorusi si dhe në Kosovë. E vlerësoj dhe e mirëpres faktin e punimit bashkë mes administratës Trump dhe BE-së dhe mendoj që mund të sjellë vetëm rezultate të mira.

 

Thimi Samarxhiu: Duke u kthyer 21 vite pas, në kohën e luftës. A ishte kjo marrëveshje një nga gjërat për të cilat NATO dhe Kosova luftuan?

 

Jamie Shea – Zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës: Në atë kohë ne nuk luftuam për pavarësinë e Kosovës, duhet ta them ketë gjë, ajo ishte një rezultat që erdhi rrugës. Në atë kohë NATO ndërhyri për të ndaluar represionin ndaj shqiptarëve në Kosovë, shkeljen e tmerrshme të të drejtave të njeriut të kryera nga Millosheviç dhe forcat e tija speciale, detyrimi për t’u larguar i qindra mijëra refugjatëve, shkatërrimi i pronës, pra ndërhyrja e NATO-s ishte një ndërhyrje për të drejtat e njeriut. Për fat të keq, Serbia kreu aq shumë represion në Kosovë saqë ishte e pamundur për Kosovën që të ishte më pjesë e Serbisë dhe pavarësia erdhi. Por nuk ishte ajo arsyeja kryesore se pse NATO ndërhyri në 1999, ishte ngritja kundër gjenocidit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Të gjithë ato u provuan me dënimin e Milloshevicit dhe shumë të tjerëve nga Gjykata e Hagës, vite më pas.

 

Thimi Samarxhiu: Dhe dy pyetje të fundit. Deri më tani nuk kemi një qëndrim nga Rusia. Si e shihni rolin e Rusisë në Rajon dhe si mendoni se do ta presin ata, pasi gjithnjë kemi dëgjuar që nëse Prishtina dhe Beogradi dakordësohen mes tyre ne do ta mbështesim? A besoni se do ta mbështesin edhe këtë?

 

Jamie Shea – Zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës: Duhet të besojmë fjalën që ka dhënë Putin, që nëse është pa trysni. Dhe ky ishte rasti në Uashington. Presidenti Vuçiç nuk ishte në presion kur firmosim, kështu që duhet të presim që Presidenti Putin të mbajë fjalën e tij që nesh Serbët dhe kosovarët dakordësohen, Rusia do ta respektoj atë zgjedhje demokratike, ashtu siç respektoj dhe zgjedhjen demokratike të qytetarëve në Mal të Zi për mënyrën se si votuan. Dhe duke u ndalur tek Mali i Zi, koalicioni i ri qeverisës ka deklaruar se ne do t’i qëndrojmë rrugës pro BE dhe NATO-s. Serbia po ashtu është në negociata për anëtarësim në BE, kështu që ndonjëherë mendoj që e ekzagjerojmë influencën ruse në rajon. Rajoni ka dëshmuar që nuk ka Lindjen si zgjedhje por Perëndimin. Kjo është zgjedhja më e mirë për rajonin dhe shumica e njerëzve aty e dinë këtë gjë.

 

Thimi Samarxhiu: Dhe pyetja e fundit ka të bëj mbi thirrjen e Thaçit dhe Veselit në Gjykatën Speciale në ditën që Thaçi do të udhëtonte në SHBA dhe janë akuza për mbi 100 vrasje e shumë krime të tjera. Ai besoni të gjitha këto akuza për ta, pasi ju i njihni, i keni takuar gjatë luftës, keni folur me ta…

 

Jamie Shea – Zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës: I njoh shumë mirë dhe Presidentin Thaçi e njoh më mirë. E vetmja gjë që mund të them është që Kosova, lidershipi i Kosovës, Parlamenti i Kosovës votuan dhe dakordësuan krijimin e një Gjykatë Speciale në Hagë për t’u marrë me të gjithë këto akuza që kanë qarkulluar për vite. E përshëndes vendimin e Presidentit Thaçi që kur Prokurori mori vendimin për ta thirrur, për t’u larguar nga delegacioni që po shkonte në Uashington dhe për t’u vënë në dispozicion të Gjykatës. Për mua është një akt përgjegjshmërie, sepse Kosova vet vendosi për krijimin e këtij mekanizmi dhe është e rëndësishme për vet Kosovën për reputacionin e saj ndërkombëtar, besueshmërinë tek ndërkombëtarët,  për të ndjekur procedurat e vendosura prej vet saj. Edhe njëherë e përshëndes gatishmërinë e klasës politike në Kosovë për të bashkëpunuar. Padyshim Gjykata do të mblidhet dhe do të vendosë nëse ka prova për ato akuza, por besoj që është e rëndësishme për Kosovën që ky proces të vijojë.

 

Thimi Samarxhiu: PO ose JO. Besoni që Thaçi është fajtor? Sepse siç mund ta keni dëgjuar shumë njerëz i lidhin akuzat ndaj Thaçit e Veselit me pastërtinë e Luftës së UCK-së. Shumë njerëz e bëjnë këtë lidhje…

 

Jamie Shea – Zëdhënës i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës: Provat historike të konfliktit janë të padiskutueshme. Kishte shumë represion të Serbisë në Kosovë, me mijëra njerëz të vrarë, Raçaku e shumë masakra të tjera, kjo është e gjitha e dokumentuar dhe e provuar. Nuk duhet të rishkruajmë historinë e konfliktit, përgjegjësia aty është e qartë. Ajo që dua të them është që unë nuk mund të deklarohem mbi fajësinë ose jo të askujt. Nuk jam gjyqtar as avokat, është detyra e Gjykatës Speciale, të cilën vet Kosova vendosi të ngrihet, për të vendosur lidhur me të dhe të japë një vendim përfundimtar. E gjitha çfarë mund të them është që edhe njëherë vlerësoj maksimalisht gatishmërinë e liderëve të Kosovës të cilët janë nën hetim, për të bashkëpunuar pa mëdyshje. Kjo është gjëja e duhur për besueshmërinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo është e vetmja deklaratë e imja lidhur me këtë çështje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *