Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur përgatitjet për garën elektorale të 25 prillit.

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha tha se LSI është ende në diskutim me PD-në për mënyrën se si do të garojë opozita në zgjedhjet parlamentare.

E pyetur nëse LSI penalizohet nga Kodi i ri Zgjedhor, Gjosha e mohoi në mënyrë absolute, duke shprehur bindjen për fitore në 25 prill.

“Ende në diskutim e sipër. Po diskutohet bashkë me PD-në si do të shkojnë në zgjedhje. Pak rëndësi ka. E rëndësishme është që opozita të jetë e përgatitur mirë me programin dhe përfaqësuesit më të mirë. Jo, nuk penalizohemi nga Kodi i ri Zgjedhor. Si në koalicion me PD dhe më vete, në mënyrën më absolute nuk ka asnjë lloj penalizimi për ne. Rama nuk i ka bërë mirë llogaritë. Edhe sot, e shikon që favorizohen partitë e tjera, aq më tepër opozitare. Ne jemi të gatshëm që të garojnë që nesër për të shkuar drejt zgjedhjeve dhe jemi të sigurt për një fitore në zgjedhjet e 25 prillit.”

Sa i përket vendimit të mazhorancës për të mos pritur opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me ndryshimet kushtetuese, Gjosha e konsideroi këtë vendim një “marrëzi”  nga ana e kreut të qeverisë. Sipas saj, kjo vjen si pasojë e frikës nga humbja që do të pësojë më 25 prill.

“E kuptoj Ramën që shkon drej marrëzisë në atë vendimmarrjen e tij individuale. Do të kishte qenë mirë të pritej Komisioni i Venecies. Megjithatë, kuptohet që Rama ka frikë nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit të tij, aq sa nuk pret që të dëgjojë Venecien. Ndryshimet kushtetuese janë njëpartiake dhe të jashtëligjshme. Besimin e kemi pasur gjithmonë, duke filluar nga reforma në drejtësi. Ndaj, besimi jonë është maksimal. Nuk besoj që Rama ka këtë lloj besimi, për sa kohë thotë që do të vazhdojë pavarësisht opinionit.”

Ndërkohë, sa i përket ndëshkimeve me gjobë drejt Kryemadhit dhe disa eksponentëve të tjerë të partisë për refuzimin e mbajtjes së maskës, ish-ministrja tha: “Shumë prej nesh e kanë kaluar Covid-in. Ka një mënyrë të dyfishtë se si veprohet. Ndryshe veprohet për anëtarët dhe përfaqësuesit e PS dhe ndryshe për LSI. Kemi vendosur një pikëpyetje për mënyrën se si e ka trajtuar Kryeministri pandeminë. Në fillim u tha që s’është e nevojshme të mbahet maskë, e tani ndryshoi mendje. Duhet të ketë një analizë të mirëfilltë si qytetarët duhet të vetëmbrohen.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *