Një fëmijë ka ndërruar jetë dhe qindra të tjerë janë ndier keq, si pasojë e asaj që dyshohet të jetë një helmim masiv nga ushqimi. Ngjarja ka ndodhur në një kamp refugjatësh në afërsi të Mosulit, Irak.

 

BBC shkruan se njerëzit kanë nisur të kenë të vjella si dhe shenja dehidratimi, pasi kishin ngrënë iftar, duke thyer agjërimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit me të perënduar dielli.

 

Kampi “Hasansham”, ku ka ndodhur helmimi, ndodhet mes Mosulit e Irbilit dhe strehon një numër të madh njerëzish të shpërngulur gjatë ofensivës irakiane për rimarrjen e qytetit të dytë më të madh të vendit nga militantët e ISIS.

 

Rreth 800 raste të helmimit me ushqim janë regjistruar në kamp, me 200 persona të dërguar në spital, tha në një deklaratë Agjencia e Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNHCR.

 

Kjo e fundit ka pyetur disa punonjës në kampin “Hasansham”, të cilët kanë treguar se, të gjithë kanë ndier dhimbje barku, pak kohë pasi kishin konsumuar ushqimin”.

 

Punonjësit gjithashtu kanë shtuar se ushqimi që përmbante fasule, mish pule dhe kos, ishte përgatitur në një restorant të Irbilit. ushqimi ishte dërguar aty nga një shoqatë bamirësie e Katarit. Menjëherë pas ngjarjes, pronari i lokalit ka përfunduar në pranga.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *