Presidenti i Republikës Ilir Meta përmes një konference për mediat është shprehur se Kushtetuta është vija e kuqe e vendit tonë.

 

Gjatë fjalës së tij ai ka sjellë në vëmendje 22 nëntorin e 1998 që përmes referendumit popullor solli kushtetutën e re. Presidenti Meta ndër të tjera në fjalën e tij për mediat është shpehur se kushtetuta po shkelet dhe ka vetëm një qëllim, përqëndrimi i pushtetit në duart e kryeministrit Rama.

 

Gjithashtu ai ka theksuar se në kushtet në të cilat ndodhet vendi tashmë  qeveria nuk jep llogari ndaj askujt, ndërsa pushteti ekzekutiv është bërë njësh me pushtetin legjislativ.

Kushtetuta mbetet e para dhe e fundit vijë e kuqe, e pakalueshme, për sa kohë fuqia e saj buron prej popullit.  22 nëntori i vitit 1998, është një datë historike për të gjithë shqiptarët.  Për herë të parë populli shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejt miratoi përmes referendumit Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë post-komuniste. Populli vendosi se sovraniteti i Republikës së Shqipërisë i përket vetëm atij, ushtruar nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti përmes referendumit. Populli vendosi se sovraniteti ushtrohet nga përfaqësuesit që dalin prej zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shprehur përmes votës vetjake, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë. Populli Shqiptar përcaktoi se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut duhet të ishin të pandara, të patjetërsueshme dhe të padhunueshme, duke vendosur respektimin e tyre në themel të të gjithë rendit juridik dhe kushtetues. E projektuar për të hedhur themelet e një shteti që garanton liritë dhe të drejtat themelore të individit, të ndarjes dhe jo uzurpimit të pushteteve, të ruajtjes së sovranitetit dhe ndërtimit të të ardhmes europiane dhe euroatlantike të vendit, Kushtetuta e ‘98-ës mundësoi rivendosjen e paqes sociale dhe rotacionin normal politik në vend.  Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin, nderimin dhe nostalgjinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fatkeqësisht u zhbë brenda natës në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e partive e vitit 2008. Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit dhe të qytetarëve shqiptarë, por vetëm vullnetin e Kryetarëve të Partive.  Ndryshimet thelbësore që u bënë në Kushtetutë në vitin 2016 kanë nxjerrë sot në pah dhe tri probleme të tjera akute, të cilat, për të qenë të vërtetë, u paralajmëruan se do të ndodhnin.

Së pari, Kushtetuta, nga dokumenti themeltar i shtetit që lartëson parimet, u kthye në një rregullore me data dhe afate, të cilat për fat të keq janë shkelur që të gjitha.  Ky tejkalim afatesh ka shkaktuar një kaos kushtetues dhe ligjor që po çon në paralizimin dhe destabilizimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në vend.

Së dyti, siç Komisioni i Venecias pati paralajmëruar, zbatimi i këtij procesi drastik dhe të pashembullt, do të duhej të ishte i kujdesshëm, gradual duke patur parasysh burimet njerëzore në dispozicion.  Qëllimi i reformës nuk ishte falimentimi i sistemit gjyqësor, por reformimi i thellë i tij dhe rritja e besueshmërisë së qytetarëve te drejtësia shqiptare.  Organet e reja të gjyqësorit do të duhet të kenë në radhët e tyre një trupë profesionistësh me integritet dhe jo thjesht disa emra që duhet të mbushin vakancat që po kolapsojnë të gjithë sistemin e drejtësisë.

Së treti, përsëri paralajmëruar nga Komisioni i Venecias, zbatimi i ndryshimeve kaq të thella kushtetuese do të duhej të zbatohej duke ruajtur frymën e bashkëpunimit, për të siguruar që institucionet e reja të drejtësisë të mos kapeshin nga forca politike në pushtet.  Ndryshe nga çfarë këshilloi Komisioni i Venecias, zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe larg transparencës.  Në fakt, Komisioni i Venecias i ka thënë të gjitha, për ata që kanë veshë për ta dëgjuar dhe vullnet për ta zbatuar! Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, tashmë jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual. Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë; Ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ;  Ku nga Kuvendi i Shqipërisë janë dorëhequr 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës; Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh; Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime një-partiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetues të autonomisë vendore; Ku vendi është lënë qëllimisht për dy vite radhazi pa Gjykatë Kushtetuese dhe ku po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të krijimit të saj siç e parashikon Kushtetuta; Ku vendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë, si pasojë e së cilës janë mbivendosur mbi 32.000 çështje gjyqësore, që do të kërkonin të paktën 20 vite për t’i trajtuar nga sot; pra me këto afate një pensionist mund të mos arrijë ta gëzojë kurrë pensionin që i takon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *