Në orët e para të mëngjesit të së hënës gazetari dhe publicisti grek, Stefanos Chios u sulmua me armë. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar katër herë në drejtim të tij teksa ishte jashtë shtëpisë.

Dy prej plumbave e kanë kapur gazetarin në qafë dhe në brinjë. Momentalisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po vijojnë hetimet. Por kush është gazetari Stefanos Chios dhe pse u sulmua?

“Vizion Plus” mëson se emri i tij është lakuar gjithmonë në Greqi dhe ka patur vazhdimisht probleme me drejtësinë dhe autoritetet policore. Stefanos Chios, që ka edhe gazetën greke “Makelio”, njihet për lajmet bombastike që bën, por edhe të rreme.

Burime për “Vizion Plus” konfirmuan se shumë herë për të ka patur padi për shpifje, madje edhe është arrestuar një herë për këtë çështje.

Sipas burimeve, një nga paditësit e gazetarit është edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Disa vite më parë, Kodheli ju drejtua autoriteteve greke pas një lajmi që bëri dhe botoi në gazetën “Makelio” Stefanos.

Ai pretendon se ish-ministrja ishte striptiste në lokalet e natës dhe qëndronte në një nga rrugët kryesore të “dedikuara” për vajzat e seksit.

Ky lajm ishte në faqen e parë të gazetës “Makelios”. Po aty, mëson “Vizion Plus”, shkruhet se Stefanos Chios është sulmuar në zyrat e punës.

Ai pretendon se sulmi i erdhi nga Mimi Kodheli, pas lajmit. Pra, gazetari është një tip problematik dhe shumë herë i ka hapur telashe vetes me lajmet që bën.

“Vizion Plus” ka siguruar si foton e faqes së parë të gazetës, ashtu edhe padinë e Mimi Kodhelit.

Burimet thanë se gazetari Stefanos Chios ka gëzuar edhe mbështetjen e partisë radikale “Agimi i Artë”. Por ai ka deklaruar se është shkëputur vitet e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *