Policia e Korçës ka vënë në pranga mbrëmjen e djeshme Fabian Mucçollarin, 27 vjeç, banues në qytetin e Pogradecit, pas një operacioni të ndjekur prej disa javësh nga strukturat hetimore.
Sipas burimeve pranë Policisë Vendore të Korçës, në momentin e ndalimit, Muçollarit i janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri dhe një sasi lënde narkotike, çka forcoi dyshimet për përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Fabian Muçollari nuk është një emër i panjohur për uniformat blu.
Në vitin 2017, ai u arrestua si autor i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij, Fabio Hila, ngjarje që tronditi atë kohë opinionin publik në Pogradec. Muçollari vuajti një dënim prej afro 7 vitesh në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Drenovë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse Muçollari ka qenë pjesë e një rrjeti më të gjerë kriminal. Policia nuk përjashton arrestime të tjera në vijim./vizionplus.tv