Organizata Human Rights Watch ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar po e trajtojnë Ballkanin si një “depo për emigrantët”, përmes planeve për ngritjen e qendrave të kthimit jashtë territorit të tyre. HRW u ka bërë thirrje Brukselit dhe Londrës të ndalojnë këtë qasje dhe të ndihmojnë vendet e rajonit në ndërtimin e sistemeve efektive të azilit.
Në muajt e fundit, BE-ja ka miratuar një mekanizëm që u lejon shteteve anëtare të transferojnë azilkërkues të refuzuar në vende të treta, ndërsa Britania ka nisur bisedime për ngritjen e qendrave të tilla, me fokus të veçantë në Ballkanin Perëndimor. Starmer ka përmendur Shqipërinë dhe ka njoftuar një paketë investimesh për Maqedoninë e Veriut.
HRW ka theksuar shqetësimet për sistemin e brishtë të azilit në Bosnje, ku gjatë vitit 2023 vetëm 4 persona morën statusin e refugjatit nga 147 aplikime. Sipas organizatës, shtimi i migrantëve nga vende të tjera vetëm sa do ta përkeqësonte gjendjen dhe do të rriste rrezikun e abuzimeve.
OJQ-ja kërkon që përkrahja ndërkombëtare të fokusohet te përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese për mbrojtjen e migrantëve, dhe jo në zhvendosjen e përgjegjësisë tek vendet më të dobëta.
/vizionplus.tv





