Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimit të Holokaustit, në përkujtim të gjashtë milionë hebrenjve, viktima të gjenocidit të Gjermanisë naziste, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” numri dy i PS Balla deklaron se shqiptarët gjatë asaj kohe të errët për Europën i mbrojtën hebrenjtë.

Sipas Ballës, autoritetet shqiptare refuzuan të dorëzonin listat e hebrenjve pushtuesve nazistë.

“Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, në përkujtim të gjashtë milionë hebrenjve, viktima të gjenocidit të Gjermanisë naziste, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka caktuar 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau më 27 Janar 1945. Shqiptarët gjatë asaj kohe të errët për Europën iu dhanë besën dhe i mbrojtën hebrenjtë. Autoritetet shqiptare refuzuan të dorëzonin listat e hebrenjve pushtuesve nazistë, ndërsa shqiptarët e thjeshtë – myslimanë e të krishterë – rrezikuan jetët e tyre duke strehuar hebrenjë në shtëpitë e tyre. Hebrenjtë e Shqipërisë jo vetëm mbijetuan, por numri i tyre u rrit në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pasi shumë hebrenj u strehuan nga vendet fqinje dhe evropiane. Mbrojtja dhe shpëtimi i vëllezërve tanë hebrenj nga tmerret e nazizmit nuk ka qenë thjeshtë një akt i veçantë heroizmi gjatë kohërave më të errëta të njerëzimit. Kjo sjellje e shqiptarëve është një moment nderi kombëtar, krenarie për atë çfarë do të thotë të jesh shqiptar!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *