Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj deklaroi këtë të martë se operacion “Forca e Ligjit” duhet të jetë një mekanizëm i përhershëm dhe jo të shkatërrohet pas një viti, siç parashikohet në ligjin special. Ai u shpreh në një intervistë për “Vizion Plus” se nëse ai është i suksesshëm, duhet të qëndrojë përtej afateve. Hodaj shtoi se OFL gëzon edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ai shtoi se veçanërisht amerikanët po trajnojnë anëtarët e kësaj njësie.

 

Më poshtë intervista e plotë:

 

-Ka nisur me vrull zbatimi i aktit. A mund të bëjmë një bilanc të përgjithshëm?

 

Në terma shifrash dhe numrash besoj që tek komunikata e policisë i kemi. Ajo që është për t’u vlerësuar është që një operacion i filluar me vrull dhe është frut i një pune të bërë parapërgatitore në mënyrë sistematike. Lufta kundër krimit të organizuar nuk ka filluar sot. Ka vite që punohet për këtë. Ka avancuar me krijimin e Forcës së Ligjit si një task-forcë brenda Policisë së Shtetit dhe sot ligjërohet në një copë legjislacioni të rëndësishëm që i jep edhe mjetet e duhura që të çohet akoma më shumë përpara. Ka patur rezultate të rëbdësishme besoj këto dy ditë por besoj se do të vijojë në ditët në vijim me të njëjtin intenstitet.

 

-Në Shqipëri ka qindra individë apo grupe kriminale. Si bëhet kalendari?

 

Operacioni “Forca e Ligjit” u krijua në 2017, pra filloi një punë sistematike me skedimin e grupeve kriminale, me anëtarët, financuesit, liderët, fushat eventuale të aktivtetit kriminal, lidhjet brenda dhe jashtë. Pra është bërë një punë. Sot kjo task-forcë që u krijua me një vendim të Këshillit të Ministrave, është ligjëruar, ka marrë formën e një strukture në Policinë e Shtetit, ka edhe kompetenca. Mos harrojmë asnjëherë që bëhet fjalë për proces parandalues që targeton elementë që u përkasin kategorive të caktuara kur ka të dhëna të bazuara në elementë fakti dhe krijohet një dyshim që vijojnë aktivitetin kriminal.

 

-Që ta kuptojë publiku, është një zyrë apo departament në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, ka një mbledhje kolegjiumi…

 

Ka një celulë specifike që merret posaçërisht me këtë gjë që quhet operacioni “Forca e Ligjit”. Në dispozicion të OFL janë të gjitha resurset e tjera që ka Policia e Shtetit që nga bazat e të dhënave, tek shërbimet e inteligjencës, forcat speciale, etj. Gjithë Policia e Shtetit është në funksion të këtij operacioni.

 

-Për kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të cilat sipas këtij akti janë mjaft të gjera, ka një alarm nga kritikët se hapësira për abuzim është mjaft e gjerë.

 

E vetmja kompetencë e rëndësishme që i jep ligjit drejtorit është që mund të vendosë sekuestro në kushtet e urgjencës. Edhe Drejtori i Përgjithshëm, kur vendos një masë të tillë, ka kërkesë të motivuar nga ana e OFL. Nuk është se ka ndonjë kompetencë që tejkalon ato që janë normat normale ligjore. Ky është proces parandalues, këto janë masa parandaluese. Që do të thotë, policia e ka funksion natyral parandalimin e krimit. Parandalohen jo vetëm përmes masave pasurore që ne po shohim, por mos harrojmë që ligji parashikon edhe masa parandaluese personale, që janë kufizimet e lëvizjes së personave, detyrimi për të mos udhëtuar jashtë shtetit, detyrimi për të mos lëvizur nga një zonë e caktuar, detyrimi për të njoftuar në çdo orë të ditës e të natës se ku janë. Kemi edhe masat ekonomike që janë përjashtimi nga lejet, licencat, autorizimet, garat publike.

 

-Në këto dy ditë opinioni publik ka parë disa policë të mirë-armatosur, të mirë-pajisur. Sa forca janë të dedikuara për këtë operacion?

 

Është vështirë t’i vesh një numër të saktë edhe për arsye konfidencialiteti. Ka një njësi hetuesish që mbështeten edhe nga shumë njësi të tjera të Policisë së Shtetit.

 

-Ajo që po kuptohet është që Ministria e Brendshme apo Drejtoria e Policisë ka mbështetje, bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, kryesisht me SHBA. Diçka më konkrete. Ka trajnerë amerikanë që po merren me strukturat që veprojnë në terren?

 

Ka patur historikisht ndihmë nga partnerët dhe do të ketë gjithmonë. Edhe në këtë kuadër patjetër që ka ndihmë. Është një operacion i strukturuar prej kohësh, i menduar prej kohësh. E rëndësishme tek akti normativ është që sot vihen në dispozicion të policisë mekanizma ligjorë, i drejtpërdrejt dhe i shpejtë.

 

-Akti ka fuqi deri në fund të këtij viti. Që do të thotë rezultatet e policisë në një farë mënyre do të përcaktojnë suksesin ose dështimin e e të gjithë nismës dhe të aktit apo jo?

 

Është me efekt të përkohshëm për të mos krijuar asnjë iluzion, qoftë edhe në publik, që po merren kompetencat e ndonjë organi tjetër që do të krijohet. Këtu flasim për Byronë Kombëtare të Hetimit. Kjo nuk do të thotë që policia do të stopojë punën e saj në këtë drejtim sepse edhe BKH do të ketë gjithëmonë nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Por deri në momentin që BKH krijohet, ekziston kjo lloj mase. Unë mendoj që mekanizma të tillë ligjorë duhet të jenë të përhershëm. Pra, nëse ky operacion dëshmon që do të jetë i suksesshëm, me shumë gjasa, ky mekanizëm duhet të qëndrojë.

 

-Paketa “Anti-KÇK” parashikon edhe goditje ndaj korrupsionit, gjykatësve, prokurorëve, zyrtarëve të korruptuar, etj. Në këtë akt sot nuk bëhet fjalë për këtë kategori. Atëherë do të thotë se do të ketë tekste të tjera ligjore?

 

Krahas aktit normativ, ka nisma të tjera ligjore që janë duke u shqyrtuar në Parlament. Njëra është disa amendime në ligjin për administrimin e pasurive të konfiskuara, duke shkuar menjëherë në favor të shtetit dhe jo duke e ndjekur atë procedurë që ishte deri tani shumë e zgjatur. Një ligj tjetër është edhe disa ndryshime në ligjin për pushtetin gjyqësor përsa i përket pezullimit të përkohshëm të gjyqtarëve në rastet e vendimeve që bien në kundërshtim me ligjin. Pra, parashikohet një kohë më e shkurtër. Nëse flasim për korrupsionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të themi që këta janë subjekt i ligjit antimafia. Kështu që nuk është nevoja të ndërhyhet në këtë ligj specifik. Gjyqtarë, prokurorë, apo njerëz të tjerë përfshihen në fushën e veprimeve të këtij ligji që keni përpara nëse kanë lidhje me organizata kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *