Anëtari i Kryesisë së LSI-së, Edmond Haxhinasto, i cili është edhe drejtuesi i grupit të punës që hartoi programin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim te grupet e interesit, ka folur për shtyllat e këtij programi.

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, Haxhinasto theksoi se LSI ka një vizion se si duhet zhvilluar vendi në të ardhmen dhe se pika kryesore e programit është investimi në arsim.

“Është në themelin e programit tonë që shqiptarëve t’iu kthehet besimi për të jetuar dhe punuar në Shqipëri. Të rinjtë do ta ndërtojnë këtë vend. Duhet ta shikoni programin tonë në mënyrë integrale. Arsimimi, pika kryesore. Investimi në arsim krijon klimën e nevojshme dhe aftësitë që vendi ynë të ketë punësim cilësor dhe tregu i punës të marrë profesionistë të kualifikuar dhe ta zhvillojë më tej ekonominë.  Ne kemi parë të gjithë problemet që ka vendi. Kemi dhënë zgjidhje emergjente, afatmesme; kemi një vizion se si duhet zhvilluar vendi në të ardhmen. Jemi marrë me gjenerimin e të ardhurave.”

Ai theksoi se  plani ekonomik i LSI-së do ta shndërrojë Shqipërinë në “shtëpinë e investimeve”.

“Ne kemi pasur një përputhje me PD-në sa i takon nevojës për ta ulur barrën fiskale tek biznesi dhe tek të ardhurat e individit. Kemi rënë dakord për një taksë 9 për qind, duke përjashtuar fashën e ulët. Ata me 35 mijë lekë të vjetra në muaj, i kemi përjashtuar nga çdo lloj tatimi. Nuk është vetëm çështje e politikës fiskale. Në mënyrë që ekonomia të ecë përpara ka nevojë për një klimë investimesh. Për këtë, ne kemi propozuar masat tona, veçanërisht një paketë që do të sjellë investitorë të huaj, duke e bërë Shqipërinë shtëpinë e investimeve. Të krijojë një strukturë ekonomike të vendit që t’i përgjigjet tregut ndërkombëtar. Kemi trajtuar në mënyrë të veçantë disa nga sektorët, bujqësinë dhe blegtorinë duhet investuar më shumë, duke rregulluar edhe bilancin tregtar. Kemi propozuar një TVSH zero për të gjithë zinxhirin bujqësor, blegtoral nga toka, bagëtia, deri në pjatën e konsumatorit, me qëllim që të kemi disa produkte të menjëhershmë. Prodhimi vendas ka qenë i diskriminuar.”

I pyetur lidhur me kostot financiare dhe se sa i realizueshëm është ky program në kushtet ku ndodhet Shqipëria, Haxhinasto nënvizoi:

“Sigurisht. Progami ynë ka edhe një program tjetër shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me shpopullimin. “Nga bebja në bebe” është një program shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Unë mund t’iu siguroj që programi ynë është konceptuar që të jetë i realizueshëm dhe i kuptueshëm nga qytetarët. Kemi një balancim qoftë të burimeve të financimit, gjenerimit të të ardhurave që ka nevojë ekonomia jonë, PPB , shtimin e të ardhurave, duke formalizuar ekonominë me skemat tona. Vendosja e balancës në tregti, kryesisht për produktet ushqimore. Bujqësia, brenda 2 viteve, mund të fusë në qarkullimin ekonomik të vendit 200 milionë euro. Do të krijohet një qarkullim ekonomik; brenda një periudhe të shkurtër do të krijohet një rritje e realizueshme e ekonomisë, e cila është domosdoshmëri për të siguruar nivele punësimi, për të cilat ka nevojë Shqipëria sot. Programi ynë nuk është vetëm konsumator, por garanton rritjen e të ardhurave. Katalizatori për të realizuar këtë rritje ekonomike është pikërisht arsimi. Pavarësisht se disa mund ta shohin si shpenzim, ne e shohim si investim.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *