Haland dhe de Brojnë e ekzagjeruan shumë  këtë herë. Yjet e Manchester city dhuruan spektakël në kupën e federatës duke e dërrmuar Luton me rezultatin 6 me 2.

Pesë gola të shënuar nga bomberi norvegjez, dhe 4 asist të dhënë nga kampioni belg janë historia e një ndeshje që u luajt vetëm në një portë. Qytetarët avancojnë me tej duke gjetur çerekfinalet e një trofeu që nuk neglizhohet aspak nga Pep Guardiola pavarësisht fokusit më të madh në Champions League dhe kampionat.

Sa i takon kronikës, Erling Haland i shërbyer nga shoku i tij i skuadrës Kevin De Brojne shënoi 3 gola në pjesën e parë në minutat 3, 18 dhe 40. Goli i Klark për Ljuton në çastet e fundit nuk i shqetësoi shumë miqtë.

Të paktën deri në minutat e para të pjesës së dytë kur Klark realizoi sërish për vendasit duke rihapur çështjen e kualifikimit. Megjithatë këtë kënaqësi City ia la vendasve vetëm për pak çaste pasi Haland shënoi dy herë të tjera në minutat 55 dhe 58 për ta çuar rezultatin ne 5 me 2.

Pak më vonë pati kohë edhe për golin e 6 të Kovacic. E vetmja gjë që prishi natën magjike të skuadrës së Guardiolës ishte dëmtimi i radhës nga Grilish./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *