Guvernatori Sejko: Rritja ekonomike ka mundësuar progres real në procesin me BE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, këtë të premte priti në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Reinout Vos.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin me situatën aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe perspektivën e ekonomisë shqiptare, në kontekstin e procesit të integrimit evropian, por edhe të pasigurisë në rritje në ambientin e huaj. Ai nënvizoi progresin e bërë nga ekonomia shqiptare gjatë dekadës së fundit, duke theksuar se rritja ekonomike ka mundësuar një progres real në procesin e konvergjencës me Bashkimin Evropian dhe se treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit – inflacioni, borxhi publik dhe ai i huaj i vendit, si dhe shëndeti i sektorit bankar – kanë ardhur në përmirësim.
Guvernatori Sejko shtoi se stabiliteti i sistemit financiar dhe përmirësimi i treguesve të qëndrueshmërisë fiskale dhe të huaj të vendit, janë pasqyruar në një përmirësim të mëtejshëm të renditjes së rrezikut të borxhit sovran të Shqipërisë nga agjencia Standard & Poors në muajin mars 2025, duke e çuar atë në BB.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Banka e Shqipërisë ka qenë e fokusuar që bankat tregtare të dorëzonin aplikimet pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC) për anëtarësimin e tyre në SEPA, duke i orientuar intensivisht ato në procesin e aplikimit dhe duke vepruar si Qendër Kombëtare për Mbështetjen në Procesin e Aderimit. “Tashmë të 11 bankat e sistemit bankar shqiptar përgatitën aplikimet përkatëse brenda një kohe relativisht të shkurtër, me qëllim që transaksionet e para ndërkufitare SEPA të realizohen në fillim të muajit tetor 2025.”, nënvizoi Guvernatori. Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Politikat e kujdesshme monetare, mbikëqyrëse dhe rregullatore, kanë krijuar një ambient monetar e financiar të qetë e të sigurt, çka është pasqyruar në rritje të vazhdueshme të kreditimit dhe të interesit të investitorëve të huaj për tregun shqiptar. Po ashtu, Guvernatori nënvizoi rolin e Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, si një aktor i rëndësishëm institucional në procesin e negociatave, por edhe si një partner i besueshëm i institucioneve evropiane.
Ambasadori Vos, vlerësoi progresin e bërë nga ekonomia shqiptare gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se stabiliteti makroekonomik i vendit është një arritje e çmuar e vendit në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ai vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë në përmbushjen e detyrave ligjore të saj, dhe – në veçanti – në zhvillimin e sistemit të pagesave dhe edukimin financiar.
Ambasadori Vos shprehu mbështetjen e plotë të Holandës në drejtim të procesit të anëtarësimit.




