Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres  është shprehur se Kombet e Bashkuara nuk janë më në gjendje të zgjidhnin problemet me të cilat përballet Siria. Guterres ka bërë përgjegjëse për këtë gjendje veçanërisht mosmarrëveshjet ekzistuese brenda Këshillit të Sigurimit.

 

 “Popullit sirian, që e ka parë vendin e vet të shkatërruar nga lufta në 7 vite, dua t’i them se nuk ka një fajtor të vetëm. Ka patur forca të ndryshme nga e gjithë bota, si dhe ndarje të shumta mes tyre në Siri. Është padyshim naive të mendojmë se OKB-ja mund ta zgjidhë me magji këtë problem, veçanërisht kur Këshilli i Sigurimit është aq i ndarë sa është. Situata aktuale rreth Sirisë ka treguar se Lufta e Ftohtë është kthyer.”

 

Mosmarrëveshjet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në lidhje me Sirinë janë pasqyruar në dështimin e fundit të Këshillit, për të miratuar rezolutat e hartuara nga Rusia dhe SHBA mbi sulmin e dyshuar të armëve kimike në Douma.

 

Situata rreth Sirisë u përshkallëzua pas sulmit me armë kimike më 7 prill. Kjo bëri që Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të hidhnin mbi 100 raketa, pasi perëndimi kishte akuzuar Damaskun për përdorimin e substancave të rrezikshme kundër civilëve. Misioni i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike aktualisht është vendosur në Douma, për të  hetuar sulmet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *