Shqipëria kërkon heqjen e ligjit të luftës nga Greqia. Gjatë një vizite në Athinë, ministrja e jashtme Elisa Spiropali krah homologut të saj Giorgos Gerapetritis u shpreh se dy vendet nuk duhet të ndikohen më nga vendime të së shkuarës.
“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, tha ministrja e Jashtme Elisa Spiropali.
Nuk munguan as thirrjet për rikthim të dialogut sa i përket kufijve detarë. Madje kryediplomatja shqiptare theksoi se vendi ynë kërkon zgjidhje paqësore të çdo ngërçi që mund të krijohet.
“Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, shtoi Spiropali.
Ndonëse nuk pati një reagim të ministrit të jashtëm grek sa i përket problemeve mes dy vendeve, Gerapetritis vlerësoi rrugëtimin e Shqipërisë në BE.
“Greqia ka qenë pararojë e idesë së Ballkanit Perëndimor në BE. Ne mbetemi forcë nxitëse në këtë drejtim. Ne përshëndesim progresin e Shqipërisë, që çoi në hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Pra, vlerësojmë kujdesin e veçantë për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, që përbëjnë përparësi për ne. Ekzistojnë mundësi të zgjerimit të bashkëpunimit cilësor dhe sasior”, deklaroi ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis.
Më herët, Greqia pengoi hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimit Evropian, veto e hequr më pas në vitin 2024./vizionplus.tv





