Katastrofa natyrore që goditi zonën perëndimore të Athinës la pas një bilanc tragjik sidomos në qytetet e Mandrës, Nea Perames dhe Elevsines. 16 persona humbën jetën.

 

Pjesa më e madhe e viktimave i përkasin moshës së tretë, të moshuar qe fatkeqësisht nuk mundën të largoheshin nga banesat e tyre.

 

Autoritetet nuk e përjashtojnë faktin që numri i viktimave të rezultojë më i madh, për shkak se ende mbeten të përmbytura bodrume banesash dhe biznesesh.

 

6 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa 23 të plagosur po kurohen në spital.

 

Banorët janë të dëshpëruar dhe të shokuar pasi më shumë se 500 shtëpi dhe dyqane, 350 makina, 50 skafe, dhjetëra autobusë dhe mjete të rënda janë shkatërruar ose kanë pësuar dëme nga ujërat e rrëmbyera dhe balta.

 

Autoritetet vendore kanë urdhëruar që edhe sot shkollat në zonën e goditur të jenë të mbyllura, ndërsa kanë shpallur gatishmëri të lartë, pasi shërbimi sinoptik parashikon përkeqësim të motit edhe në shumë zona të tjera të Greqisë.

 

Edhe njëherë në të gjithë vendin është hapur debati për veprat publike, zjarret që kanë shkatërruar terrenin, ndryshimin e paligjshëm të shtretërve të përrenjve dhe lumenjve si dhe ndërtimet pa leje që kanë ndodhur në dekadat e fundit.

 

Kryeministri grek pasi shpalli tre ditë zie kombëtare premtoi masa për të ndihmuar familjet dhe bizneset që kanë pësuar dëme.

 

Mesazhe ngushëllimi i ka dërguar qeverisë greke presidenti i KE, Jean-Claude Juncker, ndërsa Qipro dhe Turqia kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e tyre.

 

Shërbimi zjarrfikës u është përgjigjur më shumë se 360 thirrjeve për ndihmë nga shtëpi dhe dyqane të përmbytura.

 

Probleme ne qarkullimin e automjeteve ka pasur ndërkohe në rrugën nacionale Athinë-Korinth.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *