Dhjetëra gra dhe aktiviste për të drejtat e grave kanë protestuar kundër një urdhri që nxorën talibanët përmes së cilit bëhet e detyrueshme që gratë të mbulohen tërësisht kur dalin në publik.

 

Gratë marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit, Kabul, më 10 maj duke mbajtur pankarta përmes së cilave bënin thirrje për drejtësi, pavarësisht përpjekjeve të frikësimit nga operativët talebanë, të cilët i kërcënuan me dhunë.

 

“Ne u përballëm me sjellje të ashpër nga talibanët. Ishte e frikshme… Ata madje na thanë nëse ecim edhe një hap më përpara, ata do të na qëllojnë 30 plumba”, tha një grua në një video të publikuar nga grupi, i quajtur “Lëvizja e fuqishme e grave”.

 

Sipas dekretit, mosrespektimi do të rezultojë me pasoja për babanë ose të afërmin tjetër të gjinisë mashkullore, i cili do të qortohet, burgoset apo pushohet nga puna. Vendimi i udhëheqësve talibanë nxiti menjëherë kritika nga shumë afganë si dhe të komunitetit ndërkombëtar mes një proteste mbi cungimin e të drejtave të njeriut në vend, veçanërisht për femrat.

 

“Sipas dekretit të fundit drakonian, gratë afgane urdhërohen të ndjekin mbulesën e plotë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Kjo shkel të drejtat themelore njerëzore të grave për të zgjedhur çfarë të veshin dhe të lëvizin lirshëm”, tha departamenti i Amnesty International në Azinë Jugore përmes një postimi në Tëitter, një ditë pasi u njoftuan masat.

 

“Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të autoriteteve de-fakto talibane se ata respektojnë të drejtat e grave dhe vajzave, miliona gra dhe vajza janë të ekspozuara ndaj diskriminimit sistematik të bazuar në gjini” shtoi Amnesty International.

Vajzat janë ndaluar nga shkolla përtej klasës së gjashtë në pjesën më të madhe të vendit që nga kthimi i talibanëve gushtin e kaluar.

Në mars, talibanët urdhëruan mbylljen e shkollave të mesme të vajzave në mëngjesin që ishin planifikuar të hapeshin./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *