Subscribe

Tentativa e katër hajdutëve për të grabitur një banesë në Fier ka përfunduar në mënyrën më tragjike me një të vdekur e një të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit duke u gdhirë e premtja, në këtë pallat.

 

Katër persona të maskuar dhe të armatosur tentuan të hynin në apartamentin e Minela Muçit, në katin e tretë. Për t’u futur brenda ata janë përpjekur të hapin me forcë derën, po janë pikasur nga të zotët e shtëpisë. Sapo kanë dëgjuar zhurmën burrë e grua kanë lajmëruar menjëherë policinë. Kur kanë dëgjuar ndërhyrjen e uniformave blu, grabitësit kanë reaguar duke hapur zjarr ndaj policisë.

 

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen. Viktima është Xhuljan Sollaku, 20 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri në Elbasan, ndërsa i plagosur është Arben Muça, 35 vjeç nga Puka që ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

 

Policia bëri të ditur se agresorët ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan si prova materiale. Ndërkohë dy autorët e tjerë, Ardi Muca dhe tjetri i cili ende nuk është identifikuar, përfituan nga errësira dhe i shpëtuan ndjekjes

 

Të zotët e shtëpisë, prindër të dy fëmijëve në emigrim nuk kanë pranuar të komentojnë ngjarjen.

 

Policia ngriti pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit për kapjen e autorëve të tjerë.

 

Kjo është ngjarja e dytë e rëndë në Fier, ku pak javë më parë gjatë grabitjes së një pike të këmbimit valutor mbeti i vrarë një qytetar që tentoi të bllokonte grabitësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *