Gjyqi për shkarkimin e presidentit amerikan Donald Trump hyri në një fazë të re të mërkurën, pasi senatorët janë lejuar të paraqesin pyetjet e tyre me shkrim, një procedurë kjo që vijon edhe gjatë se enjtes. Pas kësaj faze të gjykimit, senatorët do të votojnë nëse do të lejohen më shumë prova , përfshirë dëshmitarët dhe marrjen në pyetje.

 

Të dhënat e siguruara nga drafti i librit të ish këshilltarit të sigurisë, John Bolton e kanë cuar debatin në një tjetër nivel dhe kjo ka shtyrë demokratët të këmbëngulin  në thirrjen e dëshmitarëve.

 

Bolton kundërshton versionin e dhënë nga Presidenti për çështjen e ndihmes ushtarake prej 391 milion dollarësh ndaj Ukrainës. Ai thotë se Trump e bllokoi ndihmën deri sa Ukraina të fillonte hetimet ndaj ish nënpresidentit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter.

 

Por kreu i shtëpise së bardhë ka sulmuar ashpër John Bolton në twitter duke thënë se po të kishte dëgjuar këshillat e tij do të kishte ndodhur lufta e gjashtë botërore.

 

“Vite më parë ky njeri nuk mori dot miratimin si ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara dhe që nga ajo kohë nuk merrte dot miratim për asgjë. Ai më lutej për një post që të mos kërkonte miratimin e Senatit. Nëse do të kisha dëgjuar atë ne do të ishim sot në Luftën e Gjashtë Botërore. Menjëherë pas shkarkimit shkroi një libër të pandershëm dhe të pavërtetë meinformacione të klasifikuara. Si mund ta bëjë dikush këtë?” 

 

Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka deklaruar se dorëshkrimi i Bolton mund të mos botohet sepse përmban informacion të klasifikuar.  Ndërkohë pyetja e parë e demokratëve ishte: A munden senatorët të gjykojnë me të drejtë pa dëshminë e ish këshilltarit të sigurisë?

Argumentet më të forta të opozitës janë përqëndruar në këtë pikë duke thënë se një gjyq pa dëshmitarë nuk mund të jetë i drejtë. Por avokatët mbrojtës të presidentit konsiderojnë se dëshmia e Bolton do të zgjaste tej mase gjyqin dhe kushtëzohet nga thirrja si dëshmitarë edhe të Joe Biden dhe djalit të tij, si dhe të tjerë emra të përfshirë në këtë cështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *