Një gjykatë në Pekin urdhëroi një burrë të paguajë gruan e tij për punët e shtëpisë të bëra nga ajo gjatë martesës së tyre. Çifti ju drejtua gjykatës për t’u divorcuar, pas martesës në vitin 2015.

 

Ajo kërkoi kompensim financiar, duke argumentuar se i shoqi nuk kishte marrë përsipër asnjë punë shtëpie apo përgjegjësi në kujdesin për fëmijët. Gjykata vendosi në favor të saj, duke urdhëruar burrin të paguante 7.700 dollarë për pesë vitet që nuk ka kontribuuar në punët e shtëpisë.Vendimi u mor sipas kodit të ri civil në vend, i cili hyri në fuqi këtë vit.

 

Sipas ligjit të ri, një bashkëshort ka të drejtë të kërkojë kompensim në një divorc nëse ai ose ajo mban më shumë përgjegjësi në rritjen e fëmijëve, kujdesin për të afërmit e moshuar dhe ndihmën e partnerëve në punën e tyre.

 

Më parë, bashkëshortët që divorcoheshin mund të kërkonin një kompensim të tillë vetëm nëse ishte nënshkruar një marrëveshje paramartesore, një praktikë e pazakontë në Kinë.

 

Në mediat sociale, vendimi ndezi debate të nxehta. Disa qytetarë thanë se 7.700 dollarë për pesë vjet punë ishin shumë pak. Të tjerë thanë se burrat duhet të marrin më shumë detyra shtëpiake apo se gratë duhet të vijojnë karrierën e tyre edhe pas martesës.

 

Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, gratë kineze kalojnë gati katër orë në ditë në punë të papaguar – afërsisht 2.5 herë më shumë se ajo e burrave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *