Tre nga gjashtë të arrestuarit e protestës së fundit të opozitës para Kuvendit janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.

 

Në seancën e zhvillaur këtë të dielë gjykata vendsoi masën arrest me burg për Mariglen Doçin, Dorian Protoduarin dhe Emiljan Mustafa.

 

Ndërsa për tre të tjerët, Jurgen Gjikolën, Bledar Dollinë dhe Arbër Kolën u dha masa “arrest shtëpie”.

 

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa morën pjesë në të familjarë dhe përfaqësues nga PD dhe LSI.

 

Gjashtë protestuesit akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishje të qetësisë publike”.

 

Ndërkohë ish-deputetët e opozitës e cilësuan vendimin e gjykatës të ndikuar nga politika.

 

Sipas nënkryetarit të PD, Edmond Spaho masa e arrestit me burg për tre të ndaluarit u dha pa prova dhe fakte.

 

“Për tre të ndaluar u vendos “arrest me burg” pa fakte dhe prova. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë që burgos kur proteston për të drejtat e tua. Qëllimi i prokurorisë dhe gjykatës është të dalë në mbrojtje të mazhorancës me synim se do të trembë protestuesit në protestat e ardhshme që do të organizohen kundër kësaj qeverie dhe Edi Ramës. Por janë të pashpresë në këto përpjekje që bëjnë sepse kur qytetarët përplasen me qeverinë fituesit janë qytetarët. Kështu do të ndodhë edhe me këtë mazhorancë dhe Edi Ramën, i cili shpejt do ta lërë karrigen e pushtetit.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *