Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të rrëzojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë duke shfuqizuar vendimin  për heqjen e licencës për ushtrimin e aktivitetit të kompanisë Albania Duty Free Distribution, me pronare gruan e Gjin Gjonit. Për këtë vendim reagoi edhe ambasada amerikane. Ajo u shpreh e zhgënjyer pas vendimit të gjykatës për të rrëzuar kërkesën e Ministrisë së Financave për “Duty Free” në aeroportin “Nënë Tereza”. Përmes një reagimi në “Facebook”, ambasada tha se po pengohen investimet e huaja në vend.

 

“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme.”

 

Që prej korrikut të vitit të kaluar, kur nënshkroi dhe kontratën me Tirana International Airport (TIA) shoqërinë që administron aeroportin e Tiranës, kompania amerikane nuk ka mundur të marrë në zotërim zonën e dyqaneve “Duty free”. Përmes një serie lëvizjesh dhe padish në gjykata, Albania Duty Free Distribution (ADFD), kompania e cila ka administruar zonën “duty free” që prej viteve 2000, nuk u largua , ndonëse rezultoi humbëse e garës së hapur nga TIA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *