Subscribe

Këshilli politik do të mblidhet të hënën për të rinisur dialogun për reformën zgjedhore, pas 2 muaj ndërprerje për shkak të pandemisë së koronavirusit. Bashkëkryetari socialist I Komisionit të Reformës Damian Gjiknuri sqaron se  një pjesë e madhe e punës teknike është kryer, por ka dy-tre çështje për të cilat palët nuk kanë gjetur ende një formulë kompromisi.

DAMIAN GJIKNURI

BASHKEKRYETAR I KOMISIONIT TE REFORMES

“Mbledhja besoj dhe synimi duhet të jetë se si do të zhbllokojmë e si do të ecim përpara me çështjet e mbetura. Dhe natyrshëm që këtu një rol deciziv duhet të luajë ekspertiza e OSBE-ODIHR-it,  e cila duhet të na udhëheqë e duhet të jetë udhërrëfyes në gjetjen e zgjidhjeve të pranuara. “

Mes çështjeve për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus është edhe administrata zgjedhore; socialistët këmbëngulin se ka ardhur koha që partitë ti qëndrojnë larg procesit të administrimit të zgjedhjeve, por demokratët janë kundër pasi për ta administrata publike kontrollohet nga socialistët.

“Nëse duam të bëjmë një ndryshim radikal në administrimin e zgjedhjeve, duke u nisur nga fakti që problemi themelor në Shqipëri ka qenë futja e duarve nga ana e partive në proceset zgjedhore; e vetmja zgjidhje do të ishte një administratë zgjedhore profesioniste, e pavarur nga asnjë parti politike. As e imja, as e kundërshtarit.”   

Këshilli politik ende nuk ka diskutuar formulën e re të një KQZ me tre organe, por mazhoranca është e hapur për të gjetur kompromis me PD e LSI, pavarësisht se ato janë jashtë parlamentit.

“Ne jemi të gatshëm për të gjetur çdo lloj formule kompromisi që natyrshëm opozita të jetë shumë komode përsa I përket menaxhimit. Këta njerëz nuk duhet të cohën thjesht si përfaqësues të partisë aty, që të mos keqkuptohemi.”

Përtej depolitizimit të administratës zgjedhore dhe futjes së teknologjisë në zgjedhje, një nga synimet e reformës ishte e drejta e emigrantëve për të votuar aty ku jetojnë, një proces qe duket se kërkon kohë.

“Unë mendoj që është pak herët dhe kërkon shumë shumë garanci përsa I përket votës në distancë, identitetit, ndarjes së listave zgjedhore se kush do të jetë emigrant; pra është një proces që kam frikë se kërkon më shumë kohë  dhe personalisht nuk besoj se mund të jemi gati.”

Bashkëkryetari socialist I komisionit të reformës zgjedhore beson se I gjithë procesi I negociatave mund të mbyllet brenda këtij muaji nëse ka vullnet politik, për ti lënë më pas edhe kohë parlamentit të diskutojë e miratojë kuadrin e ri ligjor për zgjedhjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *