Subscribe

Pas dy muajsh ndërprerje për shkak të pandemisë, Komisioni i Reformës Zgjedhore zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e radhës.

Pas mbledhjes, bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari dhanë detaje.

Gjiknuri komentoi edhe deklaratat e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi se Këshilli Politik nuk do të mblidhet më pasi mazhoranca ka në tryezë pesë propozime dhe duhet të zgjedhë mes tyre.

Socialisti tha se opozita duhet të tregohet konstruktive, por nënvizoi se mungesa e saj nuk do të pengojë miratimin e reformës zgjedhore.

“Kuvendi na ka lënë një afat 30 qershor dhe ky duhet të jetë afati i fundit pasi reforma zgjedhore është pikë themelore para uljes në konferencën ndërqeveritare. Opozita jashtëparlamentare ta shfrytëzojë këtë kohë në maj dhe Kuvendi në qershor të shqyrtojë për draftet. Puna e atij Këshilli u ndërpre prej pandemisë. Ta rifillojmë aty ku e lamë. Dora jonë është e shtrirë, por mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng këtë proces. Dua të nxis dialogun, kam folur me diplomatë të jashtëm dhe nuk kam marrë përgjigje definitive. Eshtë në interes të PD për të vazhduar dialogun. Kuvendi i ka votat, do përpiqemi dhe me opozitën parlamentare t’i bëjmë votat. Dëshira ime është që opozita të jetë pjesë integrale.”

Damian Gjiknuri zbuloi se një nga propozimet është që partitë të heqin dorë nga administrimi i procesit zgjedhor. Ai shtoi se ka një dakordësi që të përfshihet teknologjia në zgjedhje.

Nga ana tjetër, demokratja Rudina Hajdari, në fjalën e saj për mediat tha se reforma zgjedhore është çelësi për integrimin evropian.

“Komisioni po sheh të gjitha propozimet që janë paraqitur nga palët, edhe nga opozita. Konsensusi është fjali kryesore. Nëse ka një reformë zgjedhore që do i japë fund mënyrës si procedohet me zgjedhjet atëhere ne duhet të merremi me të. Beteja ime për sistemin zgjedhor do të vazhdojë. Parlamenti sot nuk e gëzon sovranitetin e popullit. Jam gati që Shqipëria të ecë përpara dhe të futet në BE dhe Reforma Zgjedhore të mbarojë sa më parë. Kemi shansin të anëtarësohemi në BE dhe pse të ngelet peng reforma zgjedhore. Të lëmë interesat e ngushtë politike por të shohim interesat e shqiptarëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *