Subscribe

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, i deleguari politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, ishte në Bashkinë e Konispolit në jug të vendit, ku me kryebashkiakun Shuaip Beqiri inspektoi punimet për lotin e parë të aksit rrugor “Unaza Ekonomike”.
Ky investim pritet të ndihmojë konsiderueshëm në fushën e bujqësisë për shkak se përmes tij bëhet kalimi i automjeteve që transportojnë rreth 15 mijë ton mandarina çdo vit. Deri më tani, rruga ishte e shkatërruar dhe mungonin tërësisht investimet duke përbërë një problem për banorët e zonës.
 Në një njoftim për shtyp, ministria e Energjisë bëri të ditur sot se, ministri Gjiknuri garantoi qytetarët se investimet e shtuara për këtë zonë do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.
“Investimet do të jenë të shumta në infrastrukturë, në projektet e rilindjes urbane, në lidhjet me rrugët, në energjitikë. Qëllimi ynë është që e gjithë kjo zonë të kthehet në një nyje shumë të rëndësishme ekonomike por edhe turistike sepse pozicioni e favorizon shumë. Bujqësia këtu ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm që patjetër meriton një vëmendje më të madhe nga shteti ”, theksoi Gjiknuri.
Ai u ndal tek situata e fundit politike në vend duke insistuar se qeveria po punon dhe vendi ka nevojë për stabilitet.
“Është një shembull i qartë se qeveria punon, vendi ka nevojë për stabilitet, vendi ka nevojë për rotacion normal politik dhe jo rotacion të dhunshëm apo presione që vijnë nga dhuna”, nënvizoi Gjiknuri.
 Ndërsa kryebashkiaku i Konispolit tha se investimi i munguar po bëhet tashmë i mundur përmes mbështetjes që po adreson Qeveria për këtë zonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *