Subscribe

Në një takim urgjent, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn dhe përfaqësuesit e të 16 landeve, i thanë “JO” përdorimit të vaksinës Astrazeneca, për personat nën moshën 60 vjeç. Vendimi u mor pas rekomandimit të komitetit gjerman të vaksinave mbi shfaqjen e efekteve anësore tromboembolike të rralla, por shumë të rënda. Në fund të muajit prill pritet një rivlerësim i situatës. Kancelarja Angela Merkel deklaroi se nuk duhet të ketë dyshime për sigurinë e çdo vaksine apo ilaçi që administrohet në Gjermani, prandaj gjetjet nuk mund të injorohen.

“Ne duhet të jemi në gjendje t’u besojmë vaksinave . Kjo gjithashtu përfshin testimin vijues të vazhdueshëm të efektivitetit dhe sigurisë së tyre, dhe peshimin e përhershëm të rreziqeve dhe përfitimeve. Besimi lind nga dija se çdo dyshim llogaritet në çdo rast individual. Rekomandimet e komitetit për vaksinat janë të bazuara në gjetjet e këtyre javëve të fundit nga ekspertët. Janë shumë të rralla por raste serioze, që nuk mund të mos merren parasysh”, u shpreh Angela Merkel.

Pasi agjencia europiane e barnave e deklaroi vaksinën Astrazeneca “të sigurt dhe efektive”, Gjermania rifilloi përdorimin e saj, por hetimet vazhduan. Deri të martën janë shfaqur 31 raste me tromboza pas vaksinimit, 9 prej tyre kanë përfunduar me vdekje. Edhe Franca e kufizoi përdorimin e AstraZenecas për personat nën moshën 55 vjec.

Presidenti rus Vladimir Putin në një videokonferencë diskutoi bashkëpunimin e mundshëm mbi vaksinat me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Ndërkohë pas Hungarisë, edhe Austria do të përdorë vaksinën ruse Sputnik 5. Kancelari Sebastian Kurz deklaroi se nuk duhet të ketë mbyllje gjeopolitike nëse vaksina është efektive dhe e sigurt.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *