Raundi i parë i negociatave për mundësinë e një koalicioni të ri në Gjermani ka kaluar në një atmosferë pozitive.
Krerët e partive konservatore CDU dhe CSU zhvilluan bisedimet e para të dielën dhe theksuan nevojën e reformave të gjera në Gjermani dhe Europë.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi për të ardhmen e Gjermanisë dhe Europës”, tha sekretari i përgjithshëm i Social Demokrateve, Lars Klingbeil në një prononcim pas takimit. Ai shtoi se ekziston vullneti i fortë, që deri të enjten të ketë një rezultat konkret.
Pavarësisht presionit për reforma dhe dallimeve të dukshme, ndërmjetësuesit shprehen optimistë, se mund të arrihet ujdia. Unioni kërkon një koalicion me bazë të gjerë, por SPD-ja e ka lënë të hapur rifreskimin e koalicionit të mëparshëm.
Sipas ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel koalicioni ka bërë gabim në vitin 2013 që u përqendrua shumë më tepër në politikën e brendshme dhe jo tek Europa. Ka ardhur koha që të japim përgjigje për propozimet për reforma të presidentit francez, Emmanuel Macron, tha Gabriel për mediat gjermane.
Ndërsa kancelaria Merkel para takimit theksoi, se para një qeverie të re ndodhen detyra të mëdha. Pikat kryesore të debatit janë politika e migracionit dhe sigurimi social qytetar për të gjithë i kërkuar nga socialdemokratët.
Këtë të hënë CDU, CSU dhe SPD vazhdojnë bisedimet për mundësinë e koalicionit qeverisës qe do t’i jepte fund krizës politike ne Gjermani.