Aktori i Hollivudit, Gene Hackman dhe gruaja e tij, Betsy Arakawa, janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Santa Fe të New Mexico-s.
Pa shenja jete ishte edhe qeni i tyre. Ngjarja është e mbuluar me mister, ndërsa deri më tani nuk dyshohet për ndonjë vepër kriminale.
Aktori amerikan u bë i famshëm për një seri personazhesh, ndërsa me një elasticitet të jashtëzakonshëm talenti i tij kaloi lehtësisht përmes zhanreve të ndryshme të filmit, nga thriller-at, western-at, komeditë dramatike, si dhe filmat aksion.
Hackman dhe bashkëshortja e tij ishin parë për herë të fundit në publik vitin e kaluar. Legjenda e ekranit ishte dy herë fitues i çmimit Oscar dhe kishte mbushur 95 vjeç këtë janar.
Në rrugëtimin e tij në kinematografi për më shumë se 6 dekada, ai u vlerësua po ashtu edhe me dy çmime BAFTA, katër Golden Globes dhe një Screen Actors Guild Award.
Ylli amerikan do të mbahet mend për karrierën e tij të pasur, sidomos për rolet në filmat The French Connection, Unforgiven, The Conversation, Mississippi Burning.
I paharrueshëm do të jetë edhe interpretimi i tij në thriller-in e vitit 1995 me nëndetëse bërthamore, Crimson Tide. Aktori me famë botërore hoqi dorë nga kinematografia në vitin 2004.
/vizionplus.tv




