Policia e Tiranës arrestoi dje në mbrëmje 31-vjeçarin Gert Shehu, i cili goditi me grusht kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha.
Arrestimi i të riut është bërë në ambientet e spitalit të Traumës, ku Shehu është shtruar për ekzaminime pas dhunës që iu ushtrua nga truprojat dhe simpatizantët e Berishës.
Në deklaratën e tij para policisë, Shehu ka qenë kontradiktor. Ai nuk ka dhënë shumë detaje apo arsyet që e shtynë të godiste me grusht Berishën. Sipas hetuesve dëshmia e tij tregon se i riu vuan nga problemet e shëndetit mendor. megjithatë, ai do të merret sërish në pyetje.
Hetimet zbuluan se para ngjarjes Gert Shehu ndodhej në xhaminë e Tabakëve ku ishte falur. Më pas, siç duket në këto pamje, ai është drejtuar për tek selia e PD dhe më pas në vendin ku do po kalonte Berisha, për ta sulmuar fizikisht.
Policia e Tiranës shoqëroi të paktën 7 truproje të Berishës që janë marrë në pyete mbi rrethanat e ngjarjes. Ata deklaruan se kreu vetëm detyrën dhe ndërhynë për të neutralizuar agresorin. Më pas ata u lanë të lirë.
Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e të riut është stabël dhe nuk ka komplikacione, por ai po mbahet te Trauma deri në përfundim të ekzaminimeve.
Sa i takon shëndetit të tij mendor, pritet që Prokuroria e Tiranës të kërkojë një raport mjeko-ligjor.
Gert Shehu, sipas dokumenteve të publikuara, prej vitit 2028 kurohej jo rregullisht për probleme të shëndetit mendor.