Ajo e filloi karrierën artistike në Këln, në vitet ’70, atëherë kur në Gjermani, arti vizual nuk kishte femra artiste. Sot, Rosemarie Trockel është artistja e tretë më e kërkuar nga galeritë e Europës. Të gjithë kërkojnë të ekspozojnë punët e saj, por publiku shqiptar e ka shansin ta ndjeke në Galerinë e Arteve.
Veprat e saj të para kanë një dozë feminizmi që me kalimin e viteve nuk është larguar prej saj. E këtë e gjen në fotografitë, vizatimet me dorë, instalacionet, por edhe mediumet e tjera artistike me të cilat ka vendosur ta përfaqësojë kuratorja belge në Tiranë.
“Kemi sjellë teknika e mediume të ndryshme në Tiranë në mënyrë që prezantimin e kësaj artiste të shumëkërkuar tanimë në Europë, ta bëjmë sa më mirë. Ajo e bën të veçantë kërkimi në përditshmëri. Diçka që ne e shohim si dytësore, në jetën tonë, ajo na e përcjell si rrëfim parësor. E shohim këtë me miqtë e saj, flokët e të cilëve i ka përdorur si penel në një vepër që e quan “Makina piktorike”.
Kjo ekspozitë vjen si pjesë e kalendarit artistik të tetorit gjerman.
“Rosmarie Trockel flet një gjuhë universale dhe kjo është ajo që i nevojitet një kulture. Ky është misioni i tetorit gjerman. Te nxisë dialogun, shkëmbimin kulturor e diskursin artistik. Rosemarie me artin e saj di ta bëjë këtë.”
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve deri më 12 dhjetor.





