Samiti i 7 vendeve më të industrializuara të botës, u dominua nga mosmarrëveshjet, veçanërisht mbi tregtinë, dhe për herë të parë në histori ka përfunduar pa një deklaratë të përbashkët. Kjo pasi presidenti i SHBA-se Donald Trump u tërhoq, duke akuzuar Kanadanë për pandershmëri.

 

Një komunikatë e përbashkët mes liderëve të pranishëm në Kebek të Kanadasë, bazuar mbi sistemin tregtar, u arrit pavarësisht, tensionet mbi tarifat amerikane për importet e çelikut dhe aluminit, megjithatë pa miratimin e presidentit Trump.

 

Gjatë fjalës së tij në samit kryeministri kanadez Justin Trudeau u zotua se do të hakmerret me tarifa masive ndaj produkteve amerikane duke nisur nga 1 Korriku. Madje e cilësoi fyese vendimin e Trump për të përfshirë sigurinë kombëtare në samit me qëllim justifikimin e tarifave të çelikut dhe aluminit.

 

“Mund të jetë vërtet keqardhje, por shumë qartë dhe me siguri që ne do të bëjmë përpara në masat tona më 1 Korrik. Kanadezët janë të sjellshëm dhe të arsyeshëm, por nuk e lëmë veten të nëpërkëmbemi. Fjalët e tij nuk përmbanin asgjë të pathënë më parë, si në biseda publike, ashtu edhe në ato private, zhvilluar me z.Trump”

 

Nga ana tjetër, me anë të një serie postimesh në Twitter, Trump akuzoi kryeministrin kanadez, duke e cilësuar si të “pandershëm dhe të dobët”.

 

“Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka vepruar në mënyrë të pandershme dhe të dobët gjatë takimeve tona…Bazuar në deklaratat e rreme të Justin në gjatë fjalës së tij në samit, dhe faktin se Kanadaja po akuzon Tarifat masive për fermerët tanë amerikanë, punëtorët dhe kompanitë, unë kam udhëzuar përfaqësuesit tanë amerikanë që të mos e miratojnë deklaratën e përbashkët.”

 

Ndërsa përfaqësuesit e bashkimit Europian, janë zotuar se do t’i qëndrojnë deri në fund deklaratës së përbashkët, pavarësisht vendimit të presidentit amerikan.

 

Samiti i G7 diskutoi edhe çështje të tjera, përfshirë edhe marrëdhënien me Rusinë. Presidenti Trump para fillimit të samitit kërkoi edhe pjesëmarrjen e Rusisë, e cila iu shtua forumit në vitin 1997, por u përjashtua në 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Moska.

 

Presidenti Rus Vladimir Putin përshëndeti thirrjen e Trump që Moska të marrë pjesë në G8, por theksoi se nuk ishte Rusia ajo që u largua nga grupi.

 

“Nuk ishim ne që u larguam. Kolegët refuzuan të vinin në Rusi. Ne do të jemi gati t’i mirëpresim të gjithë në Moskë. Unë mendoj se do të ishte një pasuri për ta kthyer Rusinë në grupin e G8.”

 

Ndërsa duke komentuar samitin e G7, Putin tha se nuk u arrit asgjë konkrete.

 

Për herë të parë, Putin gjithashtu kritikoi tërheqjen e SHBA-se nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke akuzuar se një vendim i tillë mund të destabilizojë rajonin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *