Propozimi i kryeministrit Edi Rama për të patur të dielat pa makina nga tetori deri në mars ka ngjallur shumë polemika.

Një ndër ta që reagoi është edhe kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, që u pozicionua kundër këtij propozimi.

Patozi tha në rrjetet sociale se Rama nuk mund ta dijë se në ç’situatë do të jetë Shqipëria në raport me virusin deri në tetor.

“Të më ndjejë komandanti i luftës, që vetëm tani e pashë paralajmërimin e tij se ne shqiptarët do t’i paskemi fundjavat pa makina deri në mars. Pastaj shohim e bëjmë, ndoshta e shtyjmë edhe gjithë pesëvjeçarin ashtu, po nuk u ankua njeri. Kështu i bie apo jo? Është i njëjti person, që na ka folur gjoja me zemër në dorë pothuajse çdo ditë, se jo vetëm ai, por askush tjetër në botë nuk të thotë dot sot se kur do të largohet koronavirusi. Dhe pyetja është nga e mori vesh ky zotëria se do na duhet të ruhemi njësoj nga infeksioni edhe pas një viti? Pandemia, larg qoftë, mund edhe të ashpërsohet, por ndoshta edhe mund të shuhet dalëngadalë, siç ka ndodhur edhe me sëmundje të tjera në të shkuarën.”

Për Patozin, kreu i qeverisë ka dy rrugë: Ose të tregojë nga e di se situata do të përkeqësohet, ose të tërheqë mbrapsht këto deklarata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *