Subscribe

Pas një mbledhjeje në Berlin të grupit të punës që do të vendosë për çeljen e negociatave me Shqipërinë, raportuesi i partisë së Angela Merkel për vendin tonë Thorsten Frei, në një intervistë për Dojce Velle, është shprehur se perspektiva europiane e vendit, varet vetëm nga progresi.

 

Duke folur për problemet që pengojnë rrugën drejt integrimit, Frei ka përmendur rastin e ministrit Xhafaj dhe ish ministrit Tahiri. Ai ka thënë se të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit.

 

“Është e qartë që njerëzit nuk mund të dënohen për faj të një anëtari të familjes, por çdo individ duhet parë më vete. Prandaj edhe sjellja e ministrit të Brendshëm duhet vëzhguar dhe nuk mund të them asgjë. Por ne po e vëzhgojmë me vëmendje edhe rastin e tij. Gjithashtu edhe rastin e ish ministrit Tahiri. Tani kemi një situatë të re, mbas dorëzimit të mandatit dhe arrestit shtëpiak të shtunën e kaluar. Ne e kemi bërë të qartë se do ta shohim me shumë vëmendje, nëse ish-ministri i brendshëm po trajtohet ndryshe nga ç’do të trajtoheshin të tjerët, në raste të ngjashme”.

 

I pyetur për çeljen e negociatave, raportuesi Frei tha se gjithçka varet nga përparimi që do të bëjë Shqipëria edhe në tejkalimin e çështjeve problematike, duke përmendur këtu procesin e Vettingut ku deri tani janë bërë vetëm 5 rivlerësime.

 

“Natyrisht që e di se ka disa që i janë shmangur Vettingut duke dhënë dorëheqjen, por ne prapëseprapë jemi në fillim të këtij procesi dhe në këtë moment nuk mund të japim një gjykim përfundimtar për të. Ka edhe çështje të tjera, me të cilat nuk kemi filluar ende, si për shembull reforma zgjedhore. Kjo është një detyrë e vjetër, të cilën Komisioni Europian e ka adresuar shumë herët”.

 

Frei ka sjellë edhe njëherë në vëmendje se janë pesë prioritet kyçe dhe shtatë pritshmëritë që janë prezantuar në vitin 2016 në Shqipëri, ato që do të përcaktojnë nëse do të hapen negociatat e anëtarësimit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *