Subscribe

Ngërçin e krijuar nga dy forcat politike partia Socialiste dhe Demokratike se kush duhet të përcaktojë me numër apo me emër identifikimin e kandidatëve për deputetë, Komisioneri Shtetëror Zgjedhor Ilirjan Celibashi apo Komisioni Rregullator, eksperti zgjedhor Kristaq Kume e quan shterpë.

 

KRISTAQ KUME

EKSPERT ZGJEDHOR, ISH KRYETAR I KQZ

“Për sa kohë ne do të kemi administratë zgjedhore e cila do të formohet si e tillë nga vullnetet e partive politike, ne do të ndeshemi me situata ku të ngarkuarit do të kujdesen në mënyrë të tillë që të jetë në interes të partisë politike që i ka shpënë në atë detyrë. Nuk shoh arsye tjetër përse të themi se cila është kompetenca e njërit dhe cila është e tjetrit në këtë rast, kur të dy së-bashku janë institucioni kryesor që administron procesin zgjedhor, e rregullon, për pasojë le ta gjejnë fjalën midis tyre.”

Në këtë debat që po mban peng zgjedhësit në mënyrën sesi ata do të shprehin vullnetin e tyre politik, Kristaq Kume, thotë për “Vizion Plus” se as Ilirjan Celibashi dhe as “Rregullatori” nuk duhet të bëjnë faktor të vendimarrjes së tyre, dëshirat dy partive kryesore politike.

 

KRISTAQ KUME

EKSPERT ZGJEDHOR, ISH KRYETAR I KQZ

“Mos të shohin partitë në sy dhe të lexojnë tek ata se cila është dëshira, për ta patur fletën e votimit me numra apo me emra, por të mendojnë dhe të gjejnë atë zgjedhje që na shërben më mirë ne.”

 

Me numër siç kërkojnë socialistët apo me emër siç këmbëngulin demokratët, në këndvështrimin e ekspertit zgjedhor, një fletë votimi ku zgjedhësi e gjen kandidatin për deputetët me numër, e bën atë më të lehtë për tu administruar.

 

KRISTAQ KUME

EKSPERT ZGJEDHOR, ISH KRYETAR I KQZ

“Në qoftë se mendohet se kur unë kam të shkruar emri, do të marrë më shumë vota nga zgjedhësi shqiptar, në krahasim me rastin kur nuk do të jetë emri im por vetëm numri, për mua është një mendim shterpë. Bëj çdo gjë që është e mundur dhe ligjore për tu mbushur mendjen qytetarëve shqiptarë që të të votojnë.”

 

Mos-dakordësia për vendimarrjen më të rëndësishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fletën e votimit, dëmton pikërisht atë që socialistët dhe demokratët u kërkojnë votën,  popullit.

 

KRISTAQ KUME

EKSPERT ZGJEDHOR, ISH KRYETAR I KQZ

“Që t’i tregosh njerëzve si dhe në çfarë mënyre ata ta përdorin efektivisht këtë votë preferenciale, e cila mund të prodhojë mandate në Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht jo në të gjitha njësitë zgjedhore,kurse për Tiranën dhe për ato subjekte që fitojnë shumë mandate, mundësia që në atë listë të ri-rreshtohet është reale, për këtë duhet mësuar zgjedhësi, si duhet të votojë.”

 

Pas tërheqjes së Ilirjan Celibashit nga propozimi i tre varianteve për diskutim nga “Rregullatori” në mbrëmjen e së Martës, brenda 24 orëve komisioneri shtetëror do të dalë me një variant të vetëm, ose me numër ose me emër. Miratimi i fletës së votimit kërkon katër vota nga pesë anëtarët e Komisionit Rregullator. Nëse nuk do të gjendet konsensusi, do të jetë Kolegji Zgjedhor ai që do të thotë fjalën e fundit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *