Për ish-kryetarin e KQZ, Kristaq Kume, përmbajtja e fletës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit, nuk është një zgjidhje optimale.

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, eksperti i njohur i çështjeve zgjedhore, ka renditur disa elemente që sipas tij nuk kryejnë asnjë lloj funksioni, vetëm mbingarkojnë fletën e votimit.

“Konfigurimi i fletës së votimit kushtëzohet nga fakti që në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor tashmë kemi fiksuar të drejtën e zgjedhësve që të shprehen me votë parapëlqyese edhe për një nga kandidatët e listës për subjektin zgjedhor. Kodi Zgjedhor ka një nen të veçantë: fleta e votimit nuk duhet të jetë e mbingarkuar, por duhet të jetë e qartë dhe lehtësisht e administrueshme nga zgjedhësit. Kjo fletë nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme. Kjo çështje bart me vete presionin që bën politika në çdo gjë dhe kurdoherë.  Mënyra se si është organizuar informacioni, që poshtë çdo subjekti ka numra dhe kjo përsëritet sa herë që përsëritet subjekti zjedhor, për mua e ka mbingarkuar kot fare fletën e votimit. Ne shqiptarët duam të gjejmë zgjidhje ‘sui generis’. Për mua, kjo fletë mund të gjenerojë probleme. Mund të nxjerrë vota parapëlqyese të pavlefshme si të tilla. Kutitë janë shumë afër dhe zgjedhësit që duan të votojnë një kandidatë me votë parapëlqyese, vota e tyre mund të konsiderohet e pavlefshme.”

Ai foli edhe për ndërhyrjen e politikës në zgjedhje, për të cilën tha se është e gatshme që të shfrytëzojë çdo hapësirë që ofron ligji për interesat e saj.

“Nuk jemi të imunizuar që të përplasemi me situata që të na bëjnë të largohemi nga realizimi i standardit. Partitë politike janë të ‘zonja’ për të gjetur sebepe dhe për të shfrytëzuar qoftë edhe hapësirën me të vogël që ka ligji për interes të tyre.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *